Katër tifozë anglezë u nisën për Botërorin 1986 dhe e kthyen atë udhëtim në një jetë të re larg shtëpisë

Katër tifozë anglezë u nisën për Botërorin 1986 dhe e kthyen atë udhëtim në një jetë të re larg shtëpisë

Lajme

Një udhëtim i nisur për të ndjekur Anglinë në Kupën e Botës përfundoi duke u shndërruar në pikën e kthesës së jetës së katër tifozëve, të cilët ndërtuan të ardhmen e tyre në Amerikën e Veriut.

Kur humbet punën, shumica mendojnë të gjejnë një tjetër. Por për katër të rinj nga Anglia, rruga mori një drejtim krejt tjetër.

Në verën e vitit 1986, ata lanë pas vështirësitë, morën kursimet e fundit dhe udhëtuan drejt Meksikës për të ndjekur kombëtaren angleze në Kupën e Botës. Ishte dalja e tyre e parë jashtë Britanisë së Madhe dhe pa e ditur, po hynin në një aventurë që do t’ua ndryshonte jetën përgjithmonë.

Në atë periudhë, vitet ’80 po rëndonin fort mbi klasën punëtore angleze. Politikat ekonomike të qeverisë së Margaret Thatcher kishin sjellë rritje në Londër dhe në botën financiare, por shumë qendra industriale po përjetonin krizë të thellë.

Në zonën e njohur si “Black Country”, ku përfshiheshin Wolverhampton, Dudley dhe Stourbridge, mbyllja e fabrikave po kthehej në normalitet. Në disa vende, papunësia arrinte deri në 20 për qind dhe të rinjtë nuk shihnin asnjë horizont përpara.

Mes atyre që po përballeshin me këtë realitet ishin Stuart “Batesy” Bates, Garry Allen, David Arnold dhe Garry Hardwick.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë në Stourbridge. Punoja në ndërtim dhe shumë shokë humbën vendet e punës. Shikonim videot muzikore të Duran Duran në Rio apo David Bowie në Australi dhe mendonim vetëm një gjë: duam të udhëtojmë”, kujton Bates.

Ishte pikërisht Bates ai që ia hodhi mikut të tij Garry Allen idenë për të shkuar në Kupën e Botës në Meksikë. Shumë shpejt, plani mori përmasa më të mëdha dhe bashkë me tifozë të tjerë të Wolverhampton Wanderers u krijua një grup me rreth 12 persona.

Të gjithë ishin nga 20 deri në 23 vjeç dhe mblodhën çdo qindarkë që kishin në dispozicion. Allen hodhi 500 euro, të gjitha kursimet e tij, pak kohë pasi kishte mbetur pa punë.

Për të shpenzuar sa më pak, ata fluturuan fillimisht drejt Shteteve të Bashkuara, më pas vazhduan me autobus deri në kufirin me Meksikën dhe përfunduan në Monterrey, aty ku Anglia luante ndeshjet e fazës së grupeve.

Për djemtë e ardhur nga Midlandsi me shi, vapori meksikan ishte i padurueshëm në fillim, por ajo ndjesi u zbeh shpejt përballë atmosferës që i priste.

Me pak para në xhep, ata lëviznin lirë, siguronin bileta të lira për ndeshjet dhe çdo ditë takonin njerëz të rinj.

Në fillim, vendasit i shikonin me dyshim, pasi jehona e huliganëve anglezë kishte mbërritur edhe në Meksikë. Megjithatë, nuk vonoi shumë dhe u bë e qartë se ky grup kishte ardhur për të shijuar futbollin dhe jetën, jo për trazira.

Një prej episodeve më qesharake të asaj aventure kishte të bënte me vajzat meksikane që njihnin gjatë qëndrimit atje.

Me bindjen se si të papunë nga Anglia nuk do të linin ndonjë përshtypje të madhe, ata vendosën të hiqeshin si futbollistë të kombëtares angleze.

Në këtë lojë, Garry Allen prezantohej si Gary Lineker, ndërsa Stuart Bates si portieri legjendar Peter Shilton, dhe për habinë e tyre, plani po ecte.

Ndonëse Shilton ishte 36 vjeç në atë kohë, askush nuk dukej i çuditur që “portieri” përballë tyre kishte pamjen e një 20-vjeçari.

Madje, natën kur Lineker shënoi tregolëshin kundër Polonisë dhe siguroi kalimin e Anglisë në fazën me eliminim direkt, njëri prej tifozëve anglezë po përdorte emrin e sulmuesit për të flirtuar në një lokal të Monterreyt.

Pas suksesit ndaj Paraguait në 1/8 e finales, Anglia u ndesh me Argjentinën në një duel që më pas do të hynte ndër më të famshmit në historinë e futbollit.

Tifozët anglezë patën mundësinë ta shihnin nga afër golin legjendar të Diego Maradonës, të njohur si “Goli i Shekullit”.

Por po aq i madh ishte zemërimi i tyre për golin tjetër, atë të shënuar me dorë.

“Edhe nga tribuna dukej qartë se Maradona kishte prekur topin me dorë. Të gjithë e panë, përveç gjyqtarit”, kujton Allen.

Në stadium ndodheshin rreth 115 mijë tifozë dhe sipas tij, afro 95 për qind ishin argjentinas. Pas mbarimit të ndeshjes, situata doli jashtë kontrollit.

Tifozët anglezë u goditën me shkopinj dhe flamuj. David Arnold u qëllua në këmbë me një shtizë flamuri, ndërsa një mik tjetër i tyre, i njohur me nofkën “Rabbit”, ra nga një urë gjatë ndjekjes dhe pësoi fraktura në kafkë, duar dhe këmbë. Ai qëndroi për disa javë në spital, ku sipas miqve të tij mori trajtim të shkëlqyer.

Edhe pse Anglia u ndal në çerekfinale, për ta historia nuk mbaroi aty. Në të vërtetë, gjithçka sapo kishte nisur.

Nga 12 tifozët që kishin marrë rrugën drejt Meksikës, katër vendosën të mos riktheheshin më në Britani.

“Ky udhëtim na bëri të kuptonim se ekzistonte një botë shumë më e madhe sesa Stourbridge apo Lye. E dua Anglinë dhe vendlindjen time, por ajo aventurë e vogël u shndërrua në një jetë krejtësisht të re”, thotë Bates.

David Arnold qëndroi në Monterrey, ku u dashurua me një ish-“Miss Mexico”, u martua me të dhe sot është drejtor i një shkolle, si edhe baba i katër vajzave.

Stuart Bates zgjodhi të jetonte në Houston të Teksasit. Në fillim punoi në fushën e pasurive të paluajtshme, më pas në industrinë automobilistike dhe ndërtoi familjen e tij me katër fëmijë.

Garry Allen, njeriu që kishte hedhur idenë e udhëtimit, ngriti një karrierë të jashtëzakonshme.

Ai themeloi kompaninë e tij për prodhimin e pajisjeve të kanalizimeve dhe drenazhimit, e cila arriti një xhiro vjetore prej rreth 20 milionë dollarësh. Sot ai jeton mes Atlantës dhe Italisë dhe është pensionuar.

Ndërsa Garry Hardwick ndoqi rrugën e artit dhe u bë piktor. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë dy vite më parë.

Me rikthimin e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut, miqtë që kanë mbetur njoftuan se do të ribashkoheshin për të ndjekur sërish Anglinë, plot 40 vite pas aventurës që u ndryshoi jetën.

Ndoshta në të njëjtat tribuna ku festoheshin golat e Jude Bellingham dhe Harry Kane, ndodheshin po ata tifozë që në vitin 1986 brohorisnin për Gary Linekerin, ndërsa përdornin emrin e tij për të fituar zemrat e vajzave meksikane.

Ajo që nisi si një arratisje nga papunësia dhe monotonia, përfundoi duke u kthyer në historinë më të pabesueshme të jetës së tyre.

Promo