Pasi mahniti sërish botën me paraqitjen e tij dhe realizoi një het-trik në ndeshjen e parë të grupit në Kupën e Botës, futbollisti argjentinas Lionel Messi e krahasoi veten me legjendën spanjolle të tenisit, Rafael Nadal.
Messi e mbylli mbrëmjen me një performancë të jashtëzakonshme. Edhe pse ndodhet në vitin e 39-të të jetës, ylli legjendar në orët e para të mëngjesit të sotëm (e mërkurë) i dha Argjentinës një fitore të pastër 3-0 ndaj Algjerisë.
Të tre golat i realizoi vetë, duke qenë edhe një herë figura kryesore e ditës në futboll. Gazetarët u interesuan të dinin se cili është sekreti i suksesit të tij dhe çfarë e bën të mundur që, në moshën 39-vjeçare, ai të vazhdojë të magjepsë tifozët e sportit.
Argjentinasi tregoi se së fundmi ka ndjekur një dokumentar për Rafael Nadalin dhe se uria për fitore, si edhe dëshira për t’u ndier mirë në fushë, janë ato që e mbajnë mes më të mëdhenjve.
“Më ka pëlqyer të luaj futboll që kur isha fëmijë dhe, kur ndihem mirë, jap maksimumin. Tani po shoh një dokumentar për Rafael Nadalin dhe besoj se në këtë aspekt jemi shumë të ngjashëm. Dua të ndihem mirë. Nëse jam në formë të mirë, do të jem aty dhe do të jap gjithçka”, tha Messi.
Messi ka arritur rekordin e Kloses për më shumë gola në Kupat e Botës. Tashmë Messi dhe Klose kryesojnë listën me nga 16 gola secili, ndërsa pas tyre renditet Ronaldo Nazario da Lima me 15.
Ylli argjentinas shpërtheu në lot pas golit të parë dhe më pas e sqaroi këtë moment para kamerave.
“Lotët e mi pas golit të parë? Kam kaluar disa ditë të vështira. Nuk kishin lidhje me futbollin. Ato emocione erdhën pikërisht për këtë arsye. I falënderoj shokët e skuadrës, stafin e trajnerëve dhe delegacionin që më kanë ndihmuar”, përfundoi argjentinasi, i cili në këtë mënyrë shënoi het-trikun e tij të parë në Kupën e Botës.


