Real Madridi vazhdon të ndjekë nga afër talentin e AZ Alkmaarit, Kees Smit, ndërsa synon të forcojë repartin e mesfushës për sezonin e ardhshëm.
Sipas The Athletic, klubi madrilen nuk ka hequr dorë nga interesi për 20-vjeçarin holandez, i cili shihet si një prej talenteve më premtues të futbollit evropian.
Raportohet se trajneri i ri i “Los Blancos”, Jose Mourinho, ka vendosur si objektiva kryesorë për mesfushën Mateus Fernandesin e West Hamit dhe Enzo Fernandezin e Chelseat. Megjithatë, vlera e lartë e këtyre transferimeve po konsiderohet një pengesë e madhe për përmbylljen e tyre.
Në këtë situatë, Smit paraqitet si një opsion më i arritshëm nga ana financiare, ndërsa vetë futbollisti thuhet se e sheh Real Madridin si një zgjedhje shumë tërheqëse për vazhdimin e karrierës së tij.
Mesfushori holandez vlerësohet me rreth 60 milionë euro dhe menaxhimi i mundshëm i transferimit të tij i është besuar agjentit të njohur Jorge Mendes, me kërkesë të AZ Alkmaarit, që synon t’i sigurojë yllit të ri një kalim te një klub i madh.
Mendes mund të ketë një rol vendimtar në këtë lëvizje, duke marrë parasysh raportin e tij të afërt me Mourinhon dhe përfshirjen në disa transferime të rëndësishme drejt Madridit në vitet e fundit.
Smit zhvilloi një sezon shumë të mirë me AZ Alkmaarin, duke realizuar pesë gola dhe dhënë dhjetë asistime në të gjitha garat. Paraqitjet e tij pozitive u shpërblyen edhe me debutimin në kombëtaren e Holandës gjatë muajit mars.
Aktualisht nuk ka bisedime zyrtare mes palëve, por emri i Kees Smit mbetet një nga alternativat që Real Madridi po e shqyrton seriozisht për të ardhmen./


