Jo vetëm Haalandi, Norvegjia ka mjaft armë për të ëndërruar në Botërorin 2026

Lajme

Norvegjia rikthehet në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë dhe, edhe pse vëmendja kryesore është e përqendruar te Erling Haaland, përfaqësuesja skandinave nuk mbështetet vetëm te ylli i Manchester Cityt.

Përkundrazi, ekipi i drejtuar nga Stale Solbakken ka ndërtuar një formacion të fortë dhe të ekuilibruar, që mund ta kthejë në një nga surprizat më të mëdha të Botërorit 2026.


Pa diskutim, Haalandi mbetet figura kyçe e kësaj skuadre. Sulmuesi 25-vjeçar ishte i jashtëzakonshëm në kualifikuese, duke gjetur rrugën e rrjetës në të tetë takimet dhe duke realizuar gjithsej 16 gola.

Ai spikati veçanërisht me pesë golat ndaj Moldavisë dhe tre të tjerë kundër Izraelit, duke konfirmuar sërish pse vlerësohet si një nga sulmuesit më të mirë në botë.

Megjithatë, rrugëtimi i Norvegjisë nuk mbështetet vetëm te nuhatja e tij për golin. Rreth Haalandit janë të pranishëm lojtarë me cilësi të lartë, të aftë të bëjnë diferencën në çdo moment.

Nusa dhe Schjelderup, talentet që sjellin fantazi në krahë

Një nga armët më të rëndësishme të norvegjezëve është Antonio Nusa. Futbollisti i RB Leipzig pritet të nisë si titullar në krahun e majtë, aty ku dallohet për shpejtësinë, driblimet dhe aftësinë për të krijuar rrezik në duelet një kundër një.

21-vjeçari zhvilloi një fushatë shumë të mirë në kualifikuese, duke dhënë kontribut në gjashtë gola në gjashtë paraqitje. Ai shënoi dhe asistoi në fitoren e madhe 3-0 ndaj Italisë, ndërsa përsëriti paraqitjen e shkëlqyer edhe në suksesin 4-1 në ndeshjen e kthimit.

Zëvendësuesi i tij është Andreas Schjelderup, një tjetër talent i madh i futbollit norvegjez. Lojtari i Benficës pati një gjysmëseson mbresëlënës nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke regjistruar 10 gola dhe 14 asistime në kampionat.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe në Ligën e Kampionëve, ku realizoi dy gola ndaj Real Madridit.

Në krahun e djathtë, Alexander Sorloth sjell një profil krejt ndryshe. Edhe pse është 1.88 metra i gjatë, sulmuesi i Atletico Madridit lëviz shpesh në zonat anësore dhe i bashkohet Haalandit në fazën sulmuese. Edhe ai ishte vendimtar në kualifikuese, me tetë kontribute direkte në gola në tetë ndeshje.

Në dispozicion të Solbakken janë gjithashtu Oscar Bobb dhe Jens Petter Hauge, të cilët i japin skuadrës alternativa cilësore dhe thellësi të konsiderueshme në repartin ofensiv.

Mesfushë me përvojë të nivelit më të lartë – por Odegaardi është truri i skuadrës

Një tjetër forcë e Norvegjisë është mesfusha. Kapiteni Martin Odegaard mbetet dirigjenti i lojës, i mbështetur nga Sander Berge dhe Fredrik Aursnes.

Berge ofron forcë fizike dhe ekuilibër në qendër të fushës, ndërsa Aursnes sjell përvojë të madhe në nivelet më të larta të futbollit evropian. Interesant është fakti se Aursnes ishte larguar nga kombëtarja në vitin 2024 për arsye personale, por vendosi të rikthehej në fillim të këtij viti dhe tashmë konsiderohet një nga titullarët e padiskutueshëm.

Përveç tyre, Solbakken mund të mbështetet edhe te Patrick Berg, Kristian Thorstvedt dhe Morten Thorsby, duke formuar një repart mesfushe me shumë alternativa dhe fleksibilitet.

Nëse Haalandi është njeriu i golave, atëherë Martin Odegaard është motori që vë në lëvizje të gjithë mekanizmin e Norvegjisë.

Kapiteni i Arsenalit, pavarësisht problemeve me dëmtimet gjatë sezonit, regjistroi shtatë asistime në kualifikuese, më shumë se çdo lojtar tjetër në Evropë. Vetëm kundër Izraelit ai dhuroi tri asistime, duke treguar vizionin dhe cilësinë e tij të jashtëzakonshme.

Odegaard do të ketë një rol vendimtar në Botëror, jo vetëm për të furnizuar Haalandin me topa, por edhe për të lidhur repartet dhe për të shfrytëzuar lëvizjet e Nusas, Sorlothit dhe pjesës tjetër të sulmit.

Norvegjia synon të jetë surpriza e madhe

Për shumë tifozë dhe analistë, Norvegjia mbetet një nga “kuajt e errët” të Botërorit 2026. Megjithatë, me një sulm të udhëhequr nga Haalandi, një mesfushë të komanduar nga Odegaardi dhe disa prej talenteve më premtuese të futbollit evropian, skandinavët kanë potencialin të shkojnë shumë më larg nga sa parashikohet fillimisht.

Nëse yjet kryesorë arrijnë të ruajnë formën e tyre më të mirë, Norvegjia mund të jetë një nga skuadrat që do t’i hapë probleme serioze çdo kundërshtari në Amerikën e Veriut.

Promo