Jamie Leweling, anësori i Gjermanisë, ka bërë një premtim të veçantë në prag të ndeshjes së Kupës së Botës ndaj Ekuadorit.
Futbollisti 25-vjeçar tha se, në rast se “Pancerët” arrijnë të shpallen kampionë të botës, ai do të rikthejë modelin e famshëm të flokëve që legjenda braziliane Ronaldo Nazário mbajti në Botërorin e vitit 2002.
Ky zotim vjen jo shumë kohë pasi Leweling mori nga vetë Ronaldo Nazário një fanellë të Brazilit. Më herët, ai kishte tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, pasi publikoi një imazh të modifikuar të vetes me prerjen ikonike të brazilianit.
“Nëse fitojmë Kupën e Botës, edhe pse kemi ende një rrugë të gjatë përpara, do të bëj prerjen e flokëve si të Ronaldos. Ky është një premtim!”, u shpreh Leweling gjatë konferencës për shtyp.
Lojtari ofensiv i krahut, që bëri debutimin e tij në Kupën e Botës në sfidën ndaj Bregut të Fildishtë, nënvizoi se për momentin e gjithë vëmendja e Gjermanisë është te përballja e ardhshme me Ekuadorin dhe se skuadra nuk dëshiron të mendojë përtej këtij takimi.
“Ju i njihni lojtarët e tyre nga shumë klube të mëdha evropiane. Ata nuk e nisën mirë Kupën e Botës, por prapëseprapë mund të jenë shumë të rrezikshëm. Ne do të përgatisim zgjidhjet e duhura për të fituar kundër tyre”, deklaroi ai.
Gjermania po synon të vijojë rrugën drejt trofeut të pestë botëror, ndërsa tifozët tashmë kanë edhe një motiv më shumë për të ëndërruar suksesin e “Pancerëve”: rikthimin e modelit legjendar të flokëve të Ronaldos, kësaj here te Jamie Leweling.


