Ish-mesfushori i Manchester United dhe Paris Saint-Germain, Ander Herrera, është shumë afër një rikthimi emocional te klubi i zemrës, Real Zaragoza.
Mesfushori spanjoll, i cili së fundmi ka mbyllur kontratën me Boca Juniors, po e konsideron seriozisht mundësinë që të transferohet te skuadra që militon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, duke e kthyer kështu karrierën atje ku nisi gjithçka.
Sipas raportimeve të Sport, Herrera ndodhet në fazën e fundit të ndarjes me Boca Juniors, pasi të premten e kaluar i dha fund marrëveshjes me klubin e madh argjentinas.
Aktualisht, 36-vjeçari po kalon pushimet me familjen në Patagoni, por shumë shpejt pritet të rikthehet në Buenos Aires për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës dhe stafin e klubit.
Ky zhvillim shihet si një hap vendimtar drejt një rikthimi të shumëpritur te Real Zaragoza, skuadra ku ai nisi rrugëtimin në futbollin profesionist.
Raporti nënvizon se drejtuesit e Zaragozës janë në pritje vetëm të aprovimit përfundimtar nga lojtari.
Në ndryshim nga përpjekja e vitit 2024, Herrera tashmë ndihet dukshëm më i vlerësuar nga klubi spanjoll, çka e ka shtuar ndjeshëm mundësinë e rikthimit të tij në “La Romareda”.
Megjithatë, eksperienca e tij në Argjentinë nuk rezultoi siç pritej. Që prej transferimit te Boca Juniors në janar të vitit 2025, Herrera është përballur vazhdimisht me probleme fizike.
Ai mungoi në plot 32 ndeshje për shkak të gjashtë dëmtimeve të ndryshme muskulore dhe gjatë sezonit aktual bëri vetëm 12 paraqitje, duke realizuar një gol.


