Interi ka fituar ndeshjen e parë në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve ndaj Atletico Madrid në sfidën e zhvilluar në Giuseppe Meazza.
Nerazzurët do të tentojë të ruajë avantazhin 1-0 e ndeshjes së parë ndaj Atletico Madrid dhe në kryeqytetin spanjoll do të tentojë një biletë për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Inter, Simone Inzaghi theksoi se skuadra e tij nuk duhet ta ketë mendjen te avantazhi i ndeshjes së parë dhe të përqëndrohet maksimalisht pasi Atletico në shtëpinë e saj shndërrohet në një tjetër ekip.
“E vërteta është se nisemi me një avantazh minimal, por ndeshjen duhet ta luajmë sikur ai avantazh të mos ekzistonte. Atletico në shtëpi shndërrohet në një tjetër ekip, nëse do të luanin vetëm në Metropolitano, atëherë ata do të ishin kampionët e Spanjës”.
“Pastaj të gjithë e dimë se çfarë trajneri është Diego Simeone. Nuk e di se çfarë loje do të ndjekë Atletico ndaj nesh, por e di mirë se do të jetë shumë e vështirë”.
“Kjo skuadër ka nisur prej kohësh një rrugëtim shumë të rëndësishëm, në vitin e parë ia kemi dalë të luajmë të barabartë edhe ndaj Real Madrid apo Liverpool, që më pas u takuan në finale”.
“Në tre sezone kemi bërë shumë mirë dhe kjo nuk ka qenë diçka e lehtë”, ka deklaruar trajneri italian i Interit, Simone Inzaghi.
Sfida mes Atletico Madrid dhe Inter zhvillohet të mërkurën mbrëma me fillim nga ora 21:00 në Wanda Metropolitano. /Telegrafi/
sport,Atletico Madrid,champions league,inter , Atletico Madrid,champions league,inter