Mbrojtësi francez Jules Kounde mund të jetë në javët e fundit të qëndrimit të tij si futbollist i Barcelonës.
Sipas raportimeve më të fundit, 27-vjeçari ka humbur pozita në planet e trajnerit Hansi Flick pas një sezoni me paraqitje të luhatshme, ndërsa klubi katalanas po shqyrton me seriozitet mundësinë e shitjes së tij gjatë afatit kalimtar të verës.
Spekulimet për lëvizjet e Barcelonës në merkato tregojnë se largimi i Koundes po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. Nëse ai largohet, destinacioni më i mundshëm shihet Liga Premier.
Skuadra të mëdha angleze si Liverpooli, Chelsea dhe Manchester United janë përmendur gjatë muajve të fundit si klube të interesuara për mbrojtësin francez, vlera e të cilit në treg vlerësohet nga 60 deri në 80 milionë euro.
Gjendja e Koundes ka pësuar ndryshim të madh në një kohë të shkurtër. Dikur ai ishte një nga lojtarët më të aktivizuar te Barcelona, por rënia e formës në muajt e fundit ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e tij.
Raportohet se Flick nuk është më plotësisht i bindur nga performancat e francezit. Trajneri gjerman çmon mbi të gjitha intensitetin, përqendrimin dhe sigurinë në fazën mbrojtëse, elemente që sipas raportimeve Kounde nuk i ka treguar vazhdimisht në fundin e sezonit.
As paraqitja e tij si titullar në Kupën e Botës 2026 nuk ka ndikuar për ta ndryshuar këtë perceptim. Ndonëse Franca fitoi 3-1 ndaj Senegalit në ndeshjen hapëse, Kounde mori kritika për disa gabime në mbrojtje dhe nuk arriti të bindte me lojën e tij.
Kjo ndeshje thuhet se e ka forcuar bindjen brenda Barcelonës se një shitje mund të jetë alternativa më e mirë.
Nëse gjatë javëve në vijim vjen një ofertë e rëndësishme, drejtuesit katalanas mund të marrin shpejt një vendim për të shmangur zgjatjen e kësaj çështjeje gjatë verës.//


