Norvegjia e ka hapur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës, pasi e mundi Irakun me rezultat të thellë 4-1 në ndeshjen e parë të Grupit I.
“Vikingët” u paraqitën më mirë që në fillim dhe kaluan përpara në minutën e 29-të, kur Erling Haaland përfitoi nga një asistim i Wolfe dhe shënoi nga afër për 1-0.
Iraku reagoi dhjetë minuta më pas, teksa Hussein realizoi një gol të bukur me kokë për të barazuar në 1-1.
Sidoqoftë, festa e irakianëve zgjati vetëm katër minuta. Haaland shfrytëzoi një gabim të portierit kundërshtar dhe shënoi golin e tij të dytë personal në takim, duke ia rikthyer epërsinë Norvegjisë me rezultat 2-1.
Edhe në pjesën e dytë, skandinavët e kontrolluan lojën dhe arritën të thellonin diferencën. Në minutën e 76-të, Leo Østigård realizoi për 3-1 pas një asistimi të Martin Ødegaard.
Në minutën e fundit të sfidës, pas një rrëmuje në zonë, Hussein e devijoi topin në portën e tij, duke vulosur shifrat përfundimtare 4-1 në të mirë të norvegjezëve.
Me këtë fitore, Norvegjia renditet në krye të Grupit I me tri pikë, po aq sa ka edhe Franca. Në ndeshjen e radhës, norvegjezët do të përballen me Senegalin.


