Gjatë ditës së djeshme, skuadra e Bayern Munich ëshë befasuar në shtëpi duke u mposhtur nga Werder Bremeni me rezultatin minimal 0:1, në kuadër të Bundesligës.
Kjo humbje e Bayernit e ka lënë këtë ekip shtatë pikë larg vendit të parë që është Bayer Leverkusen, por bavarezët kanë edhe një ndeshje më pak të luajtur.
Kjo diferencë e pikëve mes dy skuadrave, ka bërë që mesfushori i Leverkusenit, Granit Xhaka mos t’i fshehë më ambiciet e ekipit të tij, shkruan “Gazeta Express”.
Xhaka ka insistuar se skuadra e tij i ka të gjitha elementet që i duhen për të pasur sukses këtë edicion.
“Ekipi ynë nuk është dorëzuar asnjëherë këtë edicion dhe këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit. Asnjë ndeshje dhe asnjë rezultat që e kemi marrë këtë edicion nuk ka qenë i rastësishëm, por i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë fillimisht Xhaka.
Tutje, mesfushori kosovar ka insistuar se trajneri Alonso e ka transformuar tërësisht Leverkusenin.
“Ai na ka sjellë shumë gjëra. Ai nuk ia lë asgjë rastit pasi kujdeset për secilin detaj. Të gjithë lojtarët e dinë se duhet të jenë në pozitat e tyre në fushë, të gjithë e dinë se si të sulmojmë kundërshtarin dhe si të futemi në zonën e tij. Pra, gjithçka është e sinkronizuar”, përfundoi ai.
Granit Xhaka iu bashkua Leverkusenit gjatë verës së kaluar nga Arsenali dhe ka kontratë deri në vitin 2028.
Leverkuseni nuk është shpallur asnjëherë kampion i Bundesligës dhe këtë edicion po shpreson t’i japë fund kësaj pritjeje.
Ndeshja e radhës për Bayer do të jetë të shtunën në shtëpi kundër Borussia Monchengladbach nga ora 18:30. /Gazeta Express/
sport,Bayer Leverkusen,Bayern Munich,Bundesliga,Granit Xhaka , Bayer Leverkusen,Bayern Munich,Bundesliga,Granit Xhaka,kampion i bundesliges