Granit Xhaka: E pabesueshme të fitosh titullin e parë historik me Leverkusen, tani synojmë Europa Ligën

Lajme

Bayer Leverkusen u kualifikua mbrëmjen e së enjtes në mesin e katër ekipeve më të mira të Europa League, duke zgjeruar në 44 numrin e ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat këtë sezon.

Të besuarit e Xabi Alonsos përfunduan në barazim 1-1 ndaj West Ham në Londër, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithsëm 3-1.

Një ndër lojtarët kyç të Xabi Alonsos këtë edicion dhe më të spikaturit për suksesin e ‘Aspirinave’ në Bundesliga ështa padyshim mesfushori shqiptar Granit Xhaka.

Në një intervistë për mediumin anglez ‘TNT Sports’, Granit Xhaka foli për ndeshjen ndaj West Hamit, titullin e fituar të Bundesligës si dhe objektivat e tjerë të klubit deri në fund të sezonit.

“E kemi ndjerë atmosferën në pjesën e dytë. Tifozët po e shtynin West Ham para. Ishim me fat në pjesën e parë, por portieri bëri disa pritje. Në pjesën e dytë patëm fytyrë tjetër. E kontrolluam ndeshjen dhe kjo është forca jonë. Në përgjithësi, jemi të lumtur që avancuam tutje”, ka thënë fillimisht Xhaka.

Xhaka foli edhe për titullin e fituar në elitën e futbollit gjerman, që ishte njëherësh i pari për Leverkusenin që prej krijimit të klubit, duke i dhënë fund dominimit absolut të Bayern Munichut, që kishte fituar këtë trofe për 11 sezone radhazi.

“Është e pabesueshme, pas shtatë vitesh në Gjermani, të fitosh trofeun e parë, titullin e parë në histori të Leverkusenit është e pabesueshme. Por ne duam më shumë. Kjo skuadër dëshiron të fitojë çdo gjë. Jemi në gjysmëfinale, dhe nëse vjen deri këtu, dëshiron të fitosh”.

Ai më pas tha se ky sukses ka ardhur për shkak të mentalitetit dhe karakterit që ka shfaqur ekipi.

“Kemi shënuar 30 gola pas minutës së 80-të dhe kjo është e pabesueshme për shkak të cilësisë, por edhe për shkak të mentalitetit. Besojmë deri në fund. Kjo skuadër ka karakter tjetër, tjetër mentalitet. Këtë e kemi shfaqur çdo tre ditë, edhe në Bundesligë edhe në Evropë. Jemi krenar që jemi pjesë e kësaj skuadre”, u shpreh ai.

Në fund Xhaka tha disa fjalë edhe për Romën, që do të jetë kundërshtari i Leverkusenit në rrugën për të siguruar finalen që do të mbahet në Dublin.

“Roma është skuadër e Ligës së Kampionëve, sipas opinionit tim. Me De Rossin, trajnerin e ri, po bëjnë shumë mirë. Ndeshjen e parë e luajmë mysafir. Do të mundohemi të marrim diçka atje, e më pas të provojmë t’i dhurojmë tifozëve finalen në Dublin”, përfundoi 31-vjeçari.



sport,Bayer Leverkusen,Bundesliga,Granit Xhaka , Bayer Leverkusen,Bundesliga,Granit Xhaka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *