Berat Gjimshiti mund të ndryshojë ambient gjatë afatit kalimtar të verës.
Për mbrojtësin shqiptar, i cili është pjesë e Atalantas që nga viti 2018, interesim ka shfaqur Besiktasi, transmeton Gazeta Express.
Sipas “Fotomaç”, koordinatori i përgjithshëm nga klubi turk, Samet Aybaba, edhe një herë shkoi jashtë vendit për të parë lojtarët. Aybaba, i cili që nga dita e marrjes së detyrës po vazhdon punën për sezonin e ri, ka ndjekur mbrëmë ndeshjen mes Sporting Lisbonës dhe Atalantas në Ligën e Evropës.
Mediumi turk zbuloi se Aybaba ishte prezent në këtë ndeshje për të ndjekur Sebastian Coates të Sportingut dhe Gjimshitin e Atalantas, të cilët vazhdojnë të jenë në listën e dëshirave të Besiktasit.
Të dy mbrojtësit kompletuan 90 minuta në ndeshjen në fjalë, e cila në fund u mbyll me rezultatin 1:1.
Mësohet gjithashtu se Aybaba, që ka përgatitur një raport të detajuar për të dy lojtarët, ka dhënë një opinion pozitiv lidhur me ta.
Berat Gjimshiti me Atalantan ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.
31-vjeçari ka regjistruar 34 paraqitje këtë sezon në të gjitha garat dhe ka shënuar një gol. Ai është i rregullt në formacionin e titullarëve në skuadrën e drejtuar nga Gian Piero Gasperini. /Gazeta Express/
sport,berat gjimshiti,superliga turke , berat gjimshiti,superliga turke