Andrea Cambiaso është kthyer në një nga mbrojtësit e krahut më të lakmuar në tregun e transferimeve, pas kalimit të Marc Cucurellas te Real Madridi.
Lëvizja e spanjollit ka shkaktuar zhvillime të rëndësishme në treg për lojtarët e këtij roli, ndërsa mbrojtësi i Juventusit ka zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Sipas raportimeve të SportItalia, përfaqësuesi italian ka marrë interes konkret javët e fundit nga Atletico Madridi dhe Chelsea, dy skuadra që kanë kërkuar informacione mbi kushtet e një transferimi të mundshëm.
Juventusi nuk e përjashton shitjen e lojtarit, por drejtuesit e klubit torinez janë të gatshëm të hyjnë në bisedime vetëm nëse paraqitet një ofertë që i përmbush kërkesat e tyre financiare.
Megjithatë, vetë Cambiaso duket se ka një zgjedhje të parapëlqyer. Mbrojtësi 26-vjeçar raportohet se e konsideron Barcelonën si alternativën më joshëse për të ardhmen e tij dhe është i gatshëm të presë lëvizjen e klubit katalanas para se të marrë një vendim përfundimtar.
Barcelona e ndjek prej kohësh italianin, duke çmuar aftësinë e tij për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes, një cilësi që e bën veçanërisht të vlefshëm për çdo trajner.
Gjithsesi, për momentin pozita e mbrojtësit të majtë nuk shihet si prioritet absolut nga drejtuesit e klubit katalanas. Barcelona është e përqendruar në disa operacione të tjera gjatë afatit kalimtar dhe po vlerëson edhe mundësinë e rikthimit të Joao Cancelos, i cili mund të aktivizohet si në krahun e djathtë, ashtu edhe në të majtin e mbrojtjes.
Aktualisht, Cambiaso mbetet në pritje, ndërsa interesimi nga klubet e mëdha vazhdon të shtohet. Vendimi përfundimtar mund të varet nga hapat që Barcelona do të ndërmarrë në javët e ardhshme sa i përket repartit defensiv.


