Venezia po përgatitet për sezonin e ardhshëm në Serie A dhe, pas disa përforcimeve me peshë, klubi italian është shumë pranë pritjes së një tjetër afrimi, atij të sulmuesit kosovar Albion Rrahmani.
Skuadra e Giovanni Stroppas ka lëvizur në merkato pas largimit të Doumbias te Sporting, duke sjellë në ekip Toma Basic, Mikael Ishak Helgason, Lisman, Armel Bella-Kotchap dhe Correia. Tashmë, fokusi i saj është vendosur te reprezentuesi i Kosovës, i cili ka kaluar dy sezone të suksesshme te Sparta e Pragës.
Për rrugëtimin e tij ka shkruar gjerësisht gazetari i njohur italian Gianluca di Marzio, i cili ka përmbledhur etapat kryesore të karrierës së Rrahmanit.
“Karrierën në futboll Rrahmani e nisi te Llapi, skuadra e qytetit të tij të lindjes, Podujeva, për të vazhduar më pas në disa ekipe të tjera dhe për t’iu bashkuar Ballkanit në vitin 2021”.
“I lindur më 31 gusht 2000, sulmuesi u dallua menjëherë në elitën e futbollit kosovar për shkak të lëvizshmërisë, aftësisë për të përdorur të dyja këmbët dhe forcës në lojën ajrore, pavarësisht gjatësisë së tij prej 188 centimetrash”.
“Ndonëse Superliga e Kosovës konsiderohet mes kampionateve me nivelin më të ulët në federatat e UEFA-s, Rrahmani la shenjë të fortë me Ballkanin, ku regjistroi 34 gola dhe nëntë asistime në 68 paraqitje, duke fituar dy tituj kampioni dhe duke u shpallur dy herë golashënuesi më i mirë i kampionatit”.
“Forma e tij e mirë bëri që Rapid Bukureshti ta transferonte në verën e vitit 2023 dhe edhe eksperienca në Rumani doli mjaft pozitive”.
“Në të vetmin sezon që luajti në futbollin rumun, Rrahmani shënoi 18 gola dhe dha gjashtë asistime në 29 ndeshje, edhe pse ekipi i tij e përfundoi kampionatin vetëm në vendin e gjashtë”.
“Verën e kaluar, Sparta e Pragës pagoi pesë milionë euro për kartonin e tij dhe sulmuesi kosovar e justifikoi shpejt besimin e klubit çek”.
“Ndeshjen e parë në kampionatin çek e luajti pikërisht në ditëlindjen e 24-t, të cilën vetë futbollisti e ka përshkruar si ditën më të bukur të jetës së tij deri tani, pasi e kurorëzoi me gol dhe asistim në fitoren 2-0 ndaj Kraloves”.
“Ai pati rol vendimtar edhe në përballjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Malmos, përpara se të gjente rrugën e rrjetës edhe në fazën e ligës ndaj Feyenoordit”.
“Periudha e tij te Sparta e Pragës u mbyll me 26 gola dhe gjashtë asistime në 83 paraqitje, ndërsa tashmë sulmuesi kosovar duket gati për hapin e ardhshëm të karrierës: Serie A me fanellën e Venezias”, shkroi ai.
Ndërkohë, për ta finalizuar transferimin e Rrahmanit, Venezia pritet të paguajë rreth 7 milionë euro.



