Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur mjaft optimist për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë, që do të zhvillohet nesër (5 qershor) në Oslo.
Në konferencën për media, Foda ka deklaruar se ekipi i tij është maksimalisht i motivuar për paraqitje të mirë ndaj ekipit nordik.
“Kjo miqësore është parapërgatitje e mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që na presin nga shtatori. Kemi ekip të mirë e të balancuar. Jemi maksimalisht të motivuar që të fitojmë ndaj Norvegjisë. Është ndeshja e fundit për t’i parë disa karakteristika të lojtarëve para ndeshjeve të Ligës së Kombeve”, ka thënë fillimisht Foda.
Përzgjdhësi gjerman është shprehur optimist se Kosova në Ligën e Kombeve do të paraqitet mirë dhe do t’ia arrijë synimit për t’u ngjitur në Ligën B.
Ai tutje ka thënë se Kosova kishte planifikuar të luante dy ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe, por për arsye të ndryshme kjo nuk ishte e mundur.
Në fakt, ishte Kombëtarja e Bahrejnit, ajo me të cilën FFK kishte paramarrëveshje për të zhvilluar miqësore, por ajo më pas ishte tërhequr për shkak të datës së ndeshjes.
Foda ka thënë se të gjithë lojtarët e ftuar janë në grumbullim, me përjashtim të portierit Arijanet Muric, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore ende është në dyshim.
“Muriq është i sëmurë dhe gjatë dy ditëve të ardhshme do ta dimë saktë nëse do të jetë i gatshëm për t’u grumbulluar me ne”, ka theksuar Foda.
Ndërkohë, shkaqe shëndetësore apo lëndimeve kësaj radhe mungojnë Milot Rashica, Mirlind Kryeziu, Florent Muslija, Donat Rrudhani dhe Ismajl Beka, kurse Ismet Lushaku dhe Kreshnik Krasniqi nuk janë liruar nga klubet e tyre në Suedi dhe Norvegji. /Telegrafi/
sport,franco foda,perfaqesuesja e kosoves , franco foda,perfaqesuesja e kosoves