FIFA ka ndërmarrë një ndryshim të rëndësishëm në rregullat e Kampionatit Botëror 2026, një vendim që tashmë ka ndikuar drejtpërdrejt në fatin e disa përfaqësueseve dhe që mund të ketë peshë vendimtare edhe në ecurinë e Anglisë.
Ndërsa faza e grupeve po shkon drejt ndeshjeve të dyta, disa skuadra e kanë siguruar tashmë kalimin në raundin e 32-të, kurse të tjera janë përshëndetur herët me turneun.
Një nga ekipet që ka prerë biletën për më tej është SHBA-ja e drejtuar nga Mauricio Pochettino. Amerikanët fituan 2-0 ndaj Australisë në Seattle, falë një autogoli të Cameron Burgess dhe një goli të Alex Freeman, duke vulosur matematikisht kualifikimin edhe pse u mbetet për të luajtur ndeshja e fundit në grup ndaj Turqisë.
Nga ana tjetër, Turqia u eliminua nga gara pas humbjes 1-0 kundër Paraguait, ndërsa edhe Haiti pati të njëjtin fat pas disfatës 3-0 ndaj Brazilit.
Në shikim të parë, të dyja përfaqësueset dukeshin se ruanin ende shpresa teorike për kualifikim, pasi ishin vetëm tri pikë larg vendeve që të çojnë në fazën tjetër. Por një ndryshim i ri në rregulloren e FIFA-s ua mbylli përfundimisht çdo mundësi.
Deri në këtë Botëror, kriteri kryesor për ndarjen e skuadrave me pikë të barabarta ishte golaverazhi i përgjithshëm. Megjithatë, FIFA ka vendosur që në edicionin 2026 përparësi të ketë bilanci në ndeshjet direkte mes ekipeve.
Kjo nënkupton se Turqia, e cila ka humbur ndaj Paraguait dhe Australisë, nuk ka mundësi t’i lërë pas këto dy skuadra edhe nëse fiton ndeshjen e fundit kundër SHBA-së dhe barazohet me to në pikë.
I njëjti skenar vlen edhe për Haitin. Përfaqësuesja karaibiane është mundur nga Brazili dhe Skocia, prandaj edhe nëse arrin të barazohet me skocezët në pikë pas ndeshjes së fundit, do të mbetet sërish pas tyre për shkak të rezultatit në përballjen direkte.
Ky ndryshim mund të ketë ndikim pozitiv edhe për Anglinë. Nëse skuadra e Thomas Tuchel mposht Ganën dhe Panamaja nuk fiton ndaj Kroacisë, anglezët do ta sigurojnë vendin e parë në Grupin L një ndeshje para mbylljes së fazës së grupeve.
Në një situatë të ngjashme është edhe Gana, e cila mund të marrë kreun e grupit nëse fiton përballë Anglisë dhe Kroacia nuk arrin të mposhtë Panamanë.
Një tjetër skuadër që përfiton nga rregulli i ri është Meksika. Bashkëorganizatorët e Botërorit i kanë fituar dy ndeshjet e para ndaj Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut, duke siguruar kualifikimin në raundin e 32-të.
Në fakt, FIFA ka përdorur kritere të ndryshme gjatë historisë së Kupës së Botës. Deri në vitin 1966 aplikohej raporti i golave, ndërsa nga viti 1970 u përdor sistemi i golaverazhit. Tashmë, për herë të parë pas shumë dekadash, organizata ka vendosur t’u japë përparësi rezultateve në përballjet direkte mes skuadrave.
Sipas FIFA-s, synimi i këtij ndryshimi është të shmanget pesha e rezultateve ekstreme në renditje. Një fitore shumë e thellë, si ajo e Gjermanisë 7-1 ndaj Curacaos, për shembull, nuk do t’i japë më një avantazh kaq të madh një ekipi në garën për kualifikim, duke e bërë konkurrencën më të drejtë dhe më të ekuilibruar.


