Një tjetër lajm i pafavorshëm ka ardhur për Fenerbahcen, që po vijon fazën përgatitore për sezonin e ri në kampin stërvitor në Topuk Yaylasi, pasi klubi ka zyrtarizuar dëmtimin e përforcimit të ri në sulm, Vedat Muriqi.
Gjatë një seance stërvitore, sulmuesi kosovar ndjeu shqetësime muskulore dhe u largua nga fusha me barelë, çka shkaktoi menjëherë alarm në kampin e skuadrës turke.
Pas kontrolleve mjekësore dhe ekzaminimit me rezonancë magnetike, Fenerbahce njoftoi se Muriqi ka pësuar një çarje të pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë.
“Vedat Muriqi iu nënshtrua një rezonance magnetike. Pas vlerësimit nga ekipi ynë mjekësor, u konstatua një çarje e pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë dhe ka nisur procesi i trajtimit dhe rehabilitimit të lojtarit”, thuhej në njoftimin e klubit.
Sipas raportimeve “Fanatik”, 32-vjeçari pritet të mbetet jashtë fushave për të paktën katër javë.
Si pasojë, Muriqi me shumë gjasa nuk do të jetë i gatshëm për të dyja sfidat e Fenerbahces ndaj Gornik Zabrzes në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, një mungesë e ndjeshme për planet e klubit para nisjes së sezonit të ri./



