Konfederata Braziliane e Futbollit i ka dërguar FIFA-s një shkresë zyrtare, ku kundërshton anulimin e diskutueshëm të golit të Vinicius Junior në sfidën ndaj Skocisë dhe kërkon që në Kupën e Botës të garantohen drejtësia dhe integriteti sportiv.
Në reagimin e saj, federata braziliane ngriti shqetësime për mënyrën se si është përdorur VAR-i gjatë turneut, duke vlerësuar se vendimi për ta anuluar golin nuk përputhet me qasjen e ndjekur deri tani në këtë kompeticion.
“Një aspekt që tërhoqi vëmendjen tonë ishte qasja e VAR-it. Gjatë gjithë Kupës së Botës, duket se ka pasur një theks të qartë në respektimin e interpretimit të gjyqtarit në fushë dhe kufizimin e ndërhyrjeve vetëm në situatat që përfshijnë gabime të qarta dhe të dukshme. Ne besojmë se kjo filozofi i sjell dobi futbollit, ruan autoritetin e gjyqtarit dhe kontribuon në rrjedhshmërinë e lojës”.
CBF nënvizoi se vendimi për ta bërë të pavlefshëm golin shkaktoi habi jo vetëm te brazilianët, por edhe te vetë lojtarët e Skocisë që ndodheshin në fushë.
“Goli i anuluar i Brazilit kundër Skocisë nuk duket se është në përputhje me filozofinë e adoptuar në këtë kompeticion. Vlen të theksohet se vendimi dukej i papritur jo vetëm për Brazilin, por edhe për lojtarët e Skocisë, reagimet e menjëhershme të të cilëve sugjeronin se ata nuk prisnin një rishikim apo anulimin e golit”.
Polemikat nisën në ndeshjen e fundit të Grupit C, kur realizimi i sulmuesit të Real Madridit u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të një faulli të pretenduar në aksionin që i parapriu golit.
Megjithatë, pavarësisht debatit për arbitrimin, Brazili triumfoi 3-0 ndaj Skocisë dhe kaloi në fazën eliminatore të Kupës së Botës si vendi i parë i grupit.
Federata braziliane shprehu kundërshtim edhe për caktimin e gjyqtarit Cesar Ramos në këtë takim, duke kujtuar se arbitri meksikan kishte qenë pjesë e një episodi polemik edhe në vitin 2018, kur kishte njohur një gol të Zvicrës kundër Brazilit, megjithëse ishte pretenduar për një faull në atë aksion.
Sipas CBF-së, kjo histori vendimesh të kontestuara nga ai arbitër cenon drejtpërdrejt drejtësinë dhe integritetin sportiv që FIFA synon të sigurojë gjatë turneut.


