Federata e Algjerisë ankohet në FIFA, kërkon sqarime pse Messi nuk u ndëshkua me të kuq

Lajme

Federata Algjeriane e Futbollit ka dorëzuar një ankesë zyrtare pranë Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për arbitimin në ndeshjen e raundit të parë të Kupës së Botës ndaj Argjentinës.

Argjentina fitoi bindshëm 3-0, falë tre golave të Lionel Messit, ndërsa algjerianët iu drejtuan FIFA-s për mënyrën si gjyqtari Szymon Marciniak e drejtoi takimin, pasi besojnë se në dy raste ai e dëmtoi rëndë përfaqësuesen e tyre.


Në minutën e 31-të, Marciniak nuk e ndëshkoi Messin për një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj Aissa Mandit. Pasi mbrojtësi algjerian fitoi duelin, argjentinasi e goditi drejtpërdrejt në pulpën e djathtë me shputën e këmbës.

Algjerianët kërkuan që Marciniak t’i jepte Messit karton të kuq direkt, duke qenë se goditja mbi kyçin e këmbës me shputë zakonisht ndëshkohet me përjashtim. Megjithatë, arbitri polak nuk mori një vendim të tillë, ndërsa as zyrtarët e VAR-it nuk vlerësuan se Messi duhej të largohej nga loja.

Rasti i dytë që Algjeria ka veçuar ndodhi në minutën e 74-t, kur Alexis Mac Allister goditi me bërryl në kokë mesfushorin algjerian Ibrahim Maza, por edhe në atë moment nuk u tregua karton i kuq.

Në letrën e saj drejtuar FIFA-s, Federata Algjeriane e Futbollit kërkon shpjegim se përse arbitrat e VAR-it nuk ndërhynë, nëse Marciniak nuk e kishte parë qartë situatën.


Sipas rregullave, çdo veprim që mund të rezultojë me karton të kuq të drejtpërdrejtë duhet të verifikohet nga VAR-i, gjë që, sipas algjerianëve, nuk ndodhi në këtë ndeshje.

Algjerianët janë të bindur se këto dy raste të pandëshkuara me karton të kuq mund ta kishin ndryshuar ndjeshëm ecurinë e takimit dhe tani presin një përgjigje zyrtare nga selia e FIFA-s.

Promo