FC Prishtina po i vazhdon investimet në infrastrukturën e klubit para nisjes së sezonit të ri, duke vënë në funksion një sallë moderne në qendrën stërvitore në Bërnicë.
Klubi nga kryeqyteti ka njoftuar se puna për zhvillimin e vazhdueshëm të qendrës stërvitore po vijon, ndërsa investimi më i fundit është krijimi i një hapësire të posaçme për konferenca për shtyp, analiza të ndeshjeve, takime profesionale dhe mbledhje të ndryshme të klubit.
Salla e re disponon 60 ulëse, Smart TV dhe pajisje moderne, duke siguruar kushte bashkëkohore për punë dhe organizim në nivel profesional.
Ky investim vlerësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së klubit dhe në ngritjen e standardeve të punës në të gjitha nivelet.
Në të njëjtën kohë, FC Prishtina e ka nisur sezonin me ndryshime të rëndësishme në strukturën sportive. Fillimisht, Malsor Gjonbalaj është emëruar në krye të Këshillit Sportiv, ndërsa Mentor Zhdrella ka marrë postin e drejtorit sportiv të klubit.
Po ashtu, skuadra tashmë drejtohet nga trajneri Orges Shehi, me klubin që synon të ndërtojë një projekt konkurrues për edicionin e ardhshëm.
Me investimet në infrastrukturë dhe riorganizimin e sektorit sportiv, FC Prishtina po shfaq ambicie të qarta për të rritur nivelin e funksionimit të klubit dhe për të synuar sukses në sezonin e ri.


