Dy skuadra të Serie A interesohen për Armando Brojën

Lajme

E ardhmja e Armando Brojës mbetet ende e paqartë, por një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: largimi i tij nga Burnley duket shumë i mundshëm.

Ndonëse huazimi mbetet një opsion që nuk përjashtohet, sulmuesi shqiptar pritet të ndërrojë mjedis gjatë merkatos së verës, pasi te klubi anglez nuk ka mundur të gjejë vazhdimësinë që kërkonte.


Së fundmi, gazetari i njohur italian Gianluca Di Marzio ka raportuar se Cagliari po e monitoron me vëmendje situatën e Brojës dhe po vlerëson mundësinë për ta afruar në skuadër.

https://www.instagram.com/p/DZswgbCiHdr


Ndërkohë, sot ka ardhur edhe një zhvillim tjetër nga Italia. Sipas gazetarit Nicolò Schira, edhe Udinese i është bashkuar garës për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë.

Broja ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij në huazim, duke luajtur për disa klube në Angli, përpara se Burnley të vendoste të investonte për kartonin e tij pas largimit nga Chelsea.

Megjithatë, periudha e tij te Burnley nuk rezultoi sipas pritjeve. Sulmuesi shqiptar hasi vështirësi në përshtatje dhe nuk arriti të gjente hapësirat e nevojshme për të shfaqur potencialin e tij.

Një kalim në Serie A mund të jetë një mundësi e re për 24-vjeçarin, i cili synon të rikthejë formën e tij më të mirë dhe të sigurojë më shumë minuta në fushë. Interesimi i Cagliarit dhe Udineses dëshmon se Broja vazhdon të ketë vlerësim në tregun italian, ndërsa javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. /Telegrafi/

Promo