Norvegjia e ka nisur në mënyrën më të mirë rikthimin e saj në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë, duke triumfuar 4-1 ndaj Irakut në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve.
Njeriu i ndeshjes ishte Erling Haaland, i cili shënoi dy herë në pjesën e parë dhe realizoi golin e parë të norvegjezëve në një Botëror që prej vitit 1998.
Megjithatë, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te paraqitja e sulmuesit të Manchester Cityt. Gëzimi i tifozëve pas golave të tij shkaktoi dridhje të tokës, të cilat u regjistruan nga stacionet sizmologjike në Norvegji.
Festimet e tifozëve u kapën nga sizmografët
Instituti norvegjez NORSAR njoftoi se gjatë ndeshjes në Bergen janë regjistruar sinjale sizmike të pazakonta, të cilat përkonin me çastet kur Haaland dërgonte topin në rrjetën e Irakut.
“Të mërkurën në mbrëmje, stacioni sizmologjik në Bergen regjistroi sinjale të qarta pranë stacionit gjatë ndeshjes së Kupës së Botës mes Norvegjisë dhe Irakut. Lëkundjet më të mëdha përkuan me golat e Erling Braut Haaland, të cilat shkaktuan festime të fuqishme nga tifozët norvegjezë”, thuhet në deklaratën e NORSAR.
Ekspertët sqaruan se nuk bëhej fjalë për një tërmet të vërtetë, por për dridhje të krijuara nga mijëra tifozë që kërcenin dhe festonin në të njëjtën kohë, të cilat u regjistruan nga pajisjet e ndjeshme të monitorimit.
“Efektet më të qarta u regjistruan gjatë golave të Norvegjisë, veçanërisht dy golave të Haaland. Sinjalet ka shumë gjasa të jenë rezultat i brohoritjeve dhe lëvizjeve të tifozëve që ndoqën ndeshjen në Bergen”, shtoi instituti.
Haaland forcon statusin si favorit për “Këpucën e Artë”
Me dy golat e shënuar ndaj Irakut, Haaland vazhdoi formën e jashtëzakonshme që kishte treguar edhe gjatë kualifikueseve, ku realizoi 16 gola.
Sulmuesi 25-vjeçar shihet si një nga kandidatët më të fortë për “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës 2026.
Norvegjia kryeson aktualisht grupin e saj dhe paraqitja kundër Irakut ka rritur besimin se skandinavët mund të jenë një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori.
Me Haaland në formë të shkëlqyer, norvegjezët shpresojnë ta vazhdojnë këtë rrugëtim pozitiv edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë në ndeshjet që i presin.


