Kampioni i Kosovës, Drita, e ka kuptuar tashmë edhe kundërshtarin e mundshëm për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Intelektualët” të martën mësuan se në raundin e parë do të ndeshen me Kauno Zalgiris, ndërsa nëse arrijnë fitore, më pas do të përballen me fituesin e duelit mes Kalksvik dhe Attert Bissen.
Në letër, asnjëra prej këtyre dy skuadrave nuk vlerësohet më e fortë se Drita, prandaj kampioni i Kosovës ka një mundësi të rrallë që këtë vit të avancojë dukshëm më tej.
Megjithatë, fokusi i tanishëm i “Intelektualëve” mbetet te Zalgiris. Trajneri Zekirija Ramadani deklaroi të martën se nuk e njeh kundërshtarin, por theksoi se ka kohë të mjaftueshme për përgatitje.
“Një ekip që nuk e njohim, por kemi kohën e duhur për ta përcjellë kundërshtarin dhe për ta përgatitur ekipin tonë në mënyrën më të mirë për t’u përballur me këtë ekip”.
“Një përparësi e shoh te kundërshtari, sepse atje luhet kampionati dhe padyshim që ata janë në një formë më të mirë se ne, mirëpo kur bëhet fjalë për këtë kompeticion, ndonjëherë edhe freskia është shumë e mirë”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Drita rrugëtimin evropian do ta nisë më 7 ose 8 korrik në Lituani, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet një javë më pas.//


