Nisja e Zvicrës në turneun e Kupës së Botës rezultoi një dështim i madh. Përballë Katarit, ekipi i drejtuar nga Murat Yakin shpërdoroi një fitore që dukej e sigurt dhe në fund u desh të mjaftohej me një barazim.
Kjo situatë e irritoi sidomos kapitenin Granit Xhaka, i cili, si zakonisht, e dha mendimin e tij në intervistën pas ndeshjes.
“Nëse trajneri hedh në fushë një lojtar dhe ai përpiqet të bëjë gjithçka, ndërsa humbet disiplina në disa pozicione, atëherë gjërat bëhen të vështira”, kritikoi publikisht Xhaka futbollistët që hynë si zëvendësues.
“Duhet thjesht të bësh atë që kërkon trajneri dhe të mos mendosh se duhet të jesh ‘showman’ apo ta marrësh gjithçka vetë përsipër”, theksoi ai.
Huggel del në mbështetje të Xhakës për deklaratat
Ish-reprezentuesi zviceran Beni Huggel u pajtua me vlerësimin e kapitenit të Zvicrës. Sipas tij, disa nga lojtarët që u aktivizuan gjatë takimit nuk i zbatuan siç duhet detyrat taktike.
“Manzambi dhe Amdouni nuk i mbajtën si duhet pozicionet e tyre. Të dy duhej të kishin luajtur më shumë nga krahët”, u shpreh Huggel në rolin e ekspertit për “Blue Sport”.
Ai shtoi se nuk sheh asgjë të gabuar te fakti që Xhaka i shtron publikisht këto probleme.
“Mendoj se është gjë e mirë që ai e thotë këtë. Nëse nuk i trajton këto çështje, atëherë vetëm mashtron veten”, tha Huggel.
Megjithatë, ai pranoi se mbetet e hapur çështja nëse kritikat duhen bërë publikisht apo të diskutohen brenda grupit.
“Xhaka mund t’i evitonte këto deklarata para mediave, por ai nuk është i tillë. Ai flet gjithmonë hapur dhe shpreh atë që mendon”, shtoi ish-mesfushori zviceran.
Jo gjithmonë vetëm Xhaka
Me deklaratat e Huggelit u pajtua edhe Andreas Boni, kryeredaktor i “Blue Sport”, i cili e përshkroi Xhakën si një njeri që i thotë gjërat troç.
“Graniti është një person që gjithmonë e thotë atë që mendon”, deklaroi Boni.
Megjithatë, ai nënvizoi se pesha e fjalëve të kapitenit mund të zbehet nëse kritikat publike përsëriten pas çdo ndeshjeje.
“Nëse të njëjtën gjë do ta thoshte Gregor Kobel apo Breel Embolo, efekti do të ishte ndryshe. Nuk do të habitesha nëse në ndeshjet e ardhshme përgjegjësia do të ndahej edhe nga liderë të tjerë të skuadrës, në mënyrë që të mos mbetet gjithçka mbi shpatullat e Xhakës”, tha Boni.
Nga ana tjetër, Huggel beson se jo të gjithë futbollistët e kanë gatishmërinë për të folur hapur si kapiteni i tyre.
“Ndoshta të tjerët i diskutojnë këto gjëra brenda ekipit dhe ne nuk dëgjojmë për to. Por është e rëndësishme të kesh lojtarë si Graniti, që e mbajnë gjithmonë brenda vetes dëshirën për të fituar”, theksoi ai.
Sipas Huggelit, pikërisht ky mentalitet është ai që e veçon Xhakën si lider të kombëtares zvicerane.
“Do të doja të kishte edhe disa lojtarë të tjerë me të njëjtin mentalitet”, përfundoi ish-reprezentuesi zviceran.


