Marc Cucurella ka folur për herë të parë pas transferimit të bujshëm te Real Madridi, duke bërë të ditur se një telefonatë motivuese nga Jose Mourinho pati ndikim të madh në vendimin e tij për t’iu bashkuar “Los Blancos”.
Edhe pse ka një lidhje të fortë me akademinë e njohur të Barcelonës, La Masia, 27-vjeçari theksoi se nuk mund ta linte të kalonte mundësinë për t’u bërë pjesë e klubit më të suksesshëm në Evropë.
Mbrojtësi më i ri i Real Madridit, i ardhur nga Chelsea për afro 60 milionë euro, zbuloi se Mourinho kishte kontaktuar vetë me të për t’i shprehur besimin para bashkëpunimit të tyre në Madrid.
“Po, kemi biseduar dhe ai më tha se mezi priste të punonte me mua, se do të përshtatesha shumë mirë dhe se Real Madridi është një klub i madh”.
“Më tha vetëm të bëja një Botëror të mirë dhe se do të takoheshim në Madrid”, u shpreh fillimisht Cucurella.
“Ka pasur mundësi të ndryshme, por sapo erdhi oferta e Real Madridit, nuk mendova dy herë. Besoj se është një mundësi unike.”
“Në fund, të luash për Real Madridin është një nder dhe jo shumë lojtarë mund ta thonë këtë, ndaj nuk pata asnjë dyshim”.
Duke iu drejtuar tifozëve që mund ta kenë të vështirë ta shohin një ish-lojtar të La Masias me fanellën e bardhë, ai tha se Real Madridi është një klub që askush nuk mund ta refuzojë.
“Jeta ka faza të ndryshme. Kësaj radhe më është dashur të marr një vendim të rëndësishëm dhe nuk kam asnjë dyshim, mendoj se është një hap i madh për mua”.
“Kur je fëmijë, ëndërron të luash për klubet më të mëdha dhe Real Madridi është njëri prej tyre. Ata janë skuadra me më shumë tituj të Ligës së Kampionëve dhe shpresoj të fitoj trofe me ta dhe të kaloj një periudhë të suksesshme në Madrid”, përfundoi ai.


