Autogoli që i kushtoi jetën Escobarit: Tragjedia që tronditi botën pas Botërorit 1994

Lajme

Historia e Andres Escobarit mbetet një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më tronditëse në historinë e futbollit botëror. Mbrojtësi i Kolumbisë, i njohur si “Zotëria i Futbollit” për karakterin dhe sjelljen e tij shembullore, u vra vetëm pak ditë pas përfundimit të Kupës së Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Escobari u bë pa dëshirën e tij protagonist i një momenti fatal në ndeshjen vendimtare të Kolumbisë ndaj SHBA-së.


Në përpjekje për të larguar një top të rrezikshëm në minutën e 35-të, ai devijoi aksidentalisht në portën e vet, duke shënuar autogolin që ndikoi në humbjen 2:1 të skuadrës së tij dhe eliminimin e hershëm nga turneu.

Kolumbia kishte mbërritur në Botëror me pritshmëri të jashtëzakonshme. E udhëhequr nga emra si Carlos Valderrama, Faustino Asprilla dhe Freddy Rincon, ajo konsiderohej një nga favoritët për të surprizuar botën, sidomos pas fitores historike 5:0 ndaj Argjentinës në kualifikuese.

Madje, legjenda braziliane Pele e kishte përmendur Kolumbinë si një nga pretendentet për titull.

Megjithatë, pas humbjeve ndaj Rumanisë dhe SHBA-së, ëndrra u shua shpejt. Në një kohë kur Kolumbia po përballej me pasojat e luftës kundër karteleve të drogës dhe pas vrasjes së Pablo Escobarit, presioni mbi ekipin kombëtar ishte i jashtëzakonshëm.

Pavarësisht zhgënjimit, Andres Escobari refuzoi të qëndronte jashtë vendit. Ai vendosi të kthehej në Medellin, duke deklaruar se duhej të përballej me situatën dhe të vazhdonte jetën normalisht.

Pak ditë pas kthimit, më 2 korrik 1994, ai u përfshi në një konflikt verbal në parkingun e një klubi nate në Medellin.

Sipas hetimeve, disa persona e kishin provokuar vazhdimisht duke përmendur autogolin e tij në Botëror. Pak çaste më vonë, Escobari u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën në spital në moshën vetëm 27-vjeçare.

Vrasja e tij tronditi jo vetëm Kolumbinë, por gjithë botën e futbollit.

Mbi 120 mijë njerëz morën pjesë në ceremoninë mortore, ndërsa figura e tij u kthye në simbol të pafajësisë së humbur në një periudhë të errët për vendin.

Edhe sot, më shumë se tri dekada më vonë, Andres Escobari kujtohet si një hero kombëtar dhe si një nga historitë më tragjike që ka njohur ndonjëherë futbolli.

Emri i tij mbetet një kujtesë e dhimbshme se sporti dhe dhuna nuk duhet të takohen kurrë. /Telegrafi/

Promo