Në verën e vitit 2020, mesfushori boshnjak, Miralem Pjanic kaloi nga Juventusi te Barcelona, për një shumë të regjistruar për 60 milionë euro, por ai nuk ia doli mirë në “Camp Nou”.
Pasoi një huazim te Besiktas, pas së cilës ai ndërpreu kontratën me katalanasit dhe u transferua te klubi Sharjah, pjesë e së cilës është ende.
Në një intervistë për Corriere dello Sport, ai zbuloi se nuk e dinte për situatën e keqe financiare në Barcelonë dhe se trajneri i asaj kohe, Ronald Koeman, ishte më përgjegjës për dështimin e tij në stadiumin Camp Nou.
“Nëse do të kisha ditur për krizën financiare të Barcelonës, nuk do të transferohesha në Cam Nou, duke pasur parasysh se kisha oferta të tjera”.
“Megjithatë, Barça ishte ëndrra ime, por Ronald Koeman nuk ishte i gatshëm për një punë të tillë dhe një klub të tillë”, ka thënë Pjanic.
Tutje, boshnjaku u ndal te kalimi i tij nga Roma te Juventus, duke thënë se nuk është pishman, por që Gialorossët do të mbesin gjithmonë në zemrën e tij.
“Kam qëndruar në Romë për pesë vjet dhe kam refuzuar shumë oferta më parë. Juventusi më donte në fund të vitit të tretë, por refuzova sepse ndjeva se duhej t’u jepja diçka Romakëve”.
“Nuk ia dolëm kështu që vendosa të provoja diçka tjetër dhe e bëra me dhimbje, por e dija se ishte vendimi i duhur dhe më donin. Shkova te Juventusi dhe nuk pendohem, megjithatë, Roma do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, nënvizoi Pjanic.
Gjithashtu, Pjanic foli shumë mirë për Daniele de Rossi dhe Massimillian Allegri, të cilët drejtojnë Romën dhe Juventusin, ndërsa shtoi se Paulo Dybala është lojtari me të cilin ka kaluar më së miri në fushë. /Telegrafi/
sport,BARCELONA,la liga,Miralem Pjanic , BARCELONA,la liga,Miralem Pjanic