Carlo Ancelotti ka hedhur poshtë thashethemet që e lidhin Real Madridin me një transferim të mundshëm të Kylian Mbappes, duke insistuar se ai mbetet i fokusuar tek puna e tij.
Mbappe raportohet se ka informuar Paris Saint-Germainin për vendimin e tij për t’u larguar nga klubi, sapo t’i skadojë kontrata gjatë verës.
Real Madridi tash e disa vite kanë qenë admirues të francezit dhe pasi ai i refuzoi dy herë në të kaluarën, duket se më në fund do të arrijnë që të realizojnë objektivin e tyre.
Sidoqoftë, Ancelotti ka preferuar të qëndrojë i heshtur në mesin e thashethemeve duke refuzuar të flas nëse ka diçka konkrete mes Realit dhe lojtarit.
“Unë shoh dhe dëgjoj gjithçka por asgjë më shumë. Unë e kuptoj se është tema e ditës për juve por jo për ne. Ne duhet që të përgatitemi për ndeshjen e së nesërmes dhe kjo është ajo për të cilën kemi biseduar, për asgjë më shumë. Do të doja të punoja në këtë sezon, ka shumë kohë para se të vjen sezoni i ardhshëm”, ka thënë Ancelotti para gazetarëve.
Mesfushori i Real Madridit, Aurelien Tchouameni, kishte bërë një reagim në platformën X (ish-Twitter) pas lajmeve se Mbappe do të largohet nga Parisi, reagim ky që kishte marrë vëmendjen e të gjithëve.
Megjithatë, Ancelotti ka siguruar se spekulimet nuk do të jenë një pengesë për ekipin teksa ata po luftojnë për trofe në disa fronte.
“A jam i shqetësuar për Mbappen, a më shihni mua të shqetësuar? Mendoj se do të jetë e njëjta gjë edhe për konferencat në vazhdim, nuk jam i shqetësuar”, është shprehur tekniku italian. /Telegrafi/
sport,Carlo Ancelotti,Kylian Mbappe,la liga , Carlo Ancelotti,Kylian Mbappe,la liga