David Raya do t’u nënshtrohet kontrolleve të fundit mjekësore për të mësuar nëse mund të luajë të dielën ndaj Manchester Cityt në Ligën Premier. Portieri i Arsenalit mbetet në dyshim pas dëmtimit në shpatull që e detyroi të dilte nga fusha gjatë barazimit të fundjavës së kaluar me Newcastle United.
Raya kishte dhimbje të forta në momentin e zëvendësimit në stadiumin “St.James’ Park”, ndërsa në fillim të kësaj jave u fotografua me krahun në mbajtëse. Për shkak të dëmtimit, ai nuk luajti as në ndeshjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit. Fillimisht pati shqetësime se mund të mungonte për rreth dy javë.
Sipas raportimeve, problemi lidhet me një nerv në zonën e shpatullës, por gjendja e portierit spanjoll është përmirësuar gjatë pjesës së dytë të javës. Rikthimi i tij në stërvitje ditët e fundit ka rritur shpresat e stafit të Arsenalit se mund të jetë gati për përballjen me Manchester Cityn.
Trajneri Mikel Arteta foli me kujdes të premten për gjendjen e Raya-s. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e portierit në këtë duel të rëndësishëm do të merret pas kontrolleve, nëse stafi mjekësor jep miratimin.
