Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, këmbëngul se është i qetë për lajmet nga Spanja që sugjerojnë se Erling Haaland është i pakënaqur në Angli dhe dëshiron një transferim te Reali i Madridit.
Mediat në atdheun e Guardiolës pretendojnë se norvegjezi do të ishte i hapur për një kalim në kryeqytetin spanjoll gjatë verës, me Realin të përgatitur për të aktivizuar klauzolën e prishjes së kontratës, pavarësisht se ka gjithashtu një interes për sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe. Megjithatë, katalanasi nuk ndikohet nga spekulimet dhe zbuloi se Haaland mund të jetë titullar në transfertën e së hënës në Brentford.
“Ai është gati”, tha Guardiola me një buzëqeshje kur u pyet nëse Haaland ishte gati me paraqitjen e tij si zëvendësues kundër Burnleyt, për të siguruar një vend titullari në stadiumin “Gtech Community”. Golashënuesi më i mirë i Premier Ligës kishte munguar që nga fillimi i dhjetorit pas një problemi në këmbë që pësoi në ndeshjen kundër Aston Villës.
Duke iu referuar zërave të merkatos një ditë pas mbylljes së saj, trajneri i kampionëve të Anglisë tha: “Nuk e di, ju duhet të pyesni mediat nga Madridi nëse ai është i lumtur. Ndoshta ata kanë më shumë informacion se ne. Ne nuk e kemi atë ndjesinë se ai është i pakënaqur. Ai ishte, sepse nuk luajti për dy muaj i dëmtuar. Por ndoshta mediat nga Spanja, veçanërisht Madridi, kanë më shumë informacion se ne. Nuk mund të thuash se ai nuk u përshtat shpejt ose nuk ishte mirë që kur mbërriti duke pasur parasysh nivelin që tregoi që nga dita e parë. Ne nuk mund të kontrollojmë atë që ju ose njerëzit thonë. Nëse ai është i lumtur apo jo i lumtur, ai do të marrë vendimin e tij”. /panoramasport/
sport,Erling Haaland,la liga,Manchester City,Pep Guardiola,Premier League,real madrid , Erling Haaland,la liga,Manchester City,Pep Guardiola,Premier League,real madrid