Vedat Muriqi mund të rikthehet së shpejti që të luajë në Superligën e Turqisë, por kësaj radhe jo tek Fenerbahce por tek rivali i tyre Galatasaray.
Galatasaray tashmë thuhet se do të ndajë rrugët me sulmuesin Cedric Bakambu dhe tashmë kanë nisur ‘gjahun’ për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Lojtari që po pëlqehet më së shumti nga krerët e klubit është sulmuesi kosovar Vedat Muriqi. Sipas asaj që raporton sajti turk mynet, Muriqi ka qenë mjaft i kënaqur kur ka dëgjuar për interesimin e Galatasaray.
Sidoqoftë, fillimisht është duke u bërë përpjekje për të ulur çmimin e kartonit të Muriqit, i cili raportohet se tani ka një vlerë prej 15 milionë eurosh.
Muriqi tashmë e njeh mjaft mirë ambientin atje pasi më herët ka luajtur për ekipe të ndryshme si Fenerbahce, Giresunspor, Rizespor dhe Genclerbirligi.
Një tjetër gjë që mund të lehtësojë transferimin e Muriqit është edhe fakti se sulmuesi nga Prizreni ka edhe nënshtetësi turke.
29-vjeçari së fundmi është rikthyer nga lëndimi që kishte pësuar në grumbullim me Kosovën dhe që e la jashtë fushave për një kohë të gjatë.
Këtë sezon Muriqi ka zhvilluar 14 ndeshje në La Liga, ku ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime. /Telegrafi/
sport,Fenerbahce,turqi,vedat muriqi , Fenerbahce,turqi,vedat muriqi