Izraeli do të zbresë në fushë kundër Kosovës në Prishtinë me një futbollist të ri të Barcelonës, por skuadrës do t’i mungojnë edhe disa lojtarë me peshë.
Të enjten, përzgjedhësi Ran Ben Shimon bëri publike listën për dy takimet e fundit të Izraelit në Grupin B3 të Ligës së Kombeve. Fillimisht, izraelitët do të luajnë me Kosovën më 14 nëntor, e më pas me Austrinë.
Një nga emrat që bie në sy është Orian Goren, 17-vjeçari i Barcelonës, i cili merr për herë të parë ftesë në ekipin e parë të Izraelit.
Së fundmi, Goren ishte në stolin e Barcelonës për ndeshjen El Clasico kundër Real Madridit.
Çekia kishte shprehur gjithashtu interesim për të, por talenti ka zgjedhur të luajë për Izraelin, vendin që e ka përfaqësuar në të gjitha grupmoshat.
Para dy ndeshjeve të ardhshme, Ben Shimon përballet edhe me mungesa në skuadër. Mediat izraelite raportojnë se kombëtarja nuk do të ketë në dispozicion disa futbollistë të rëndësishëm.
Sipas mediumit Sport5, Eliel Peretz dhe Tai Baribo janë ndër mungesat kryesore për Izraelin në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Izraeli mban vendin e fundit në Grupin B3 me dy pikë. Austria kryeson me tetë, ndërsa Kosova dhe Irlanda kanë nga pesë pikë.
