Çmenduri në Brazil, shpërthen sherri dhe vendoset një rekord botëror, jepen 53 kartonë të kuq

Një rekord botëror me 53 kartonë të kuq në një ndeshje të vetme; ky është bilanci i sherrit të shpërthyer në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit U20 të shtetit brazilian Minas Gerais mes Uberlandia dhe Mamore. Një sfidë kjo, që u mbyll në kaos dhe me dëme të konsiderueshme të dhomave të zhveshjes…

Çmenduri në Brazil, shpërthen sherri dhe vendoset një rekord botëror, jepen 53 kartonë të kuq

Një rekord botëror me 53 kartonë të kuq në një ndeshje të vetme; ky është bilanci i sherrit të shpërthyer në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit U20 të shtetit brazilian Minas Gerais mes Uberlandia dhe Mamore.

Një sfidë kjo, që u mbyll në kaos dhe me dëme të konsiderueshme të dhomave të zhveshjes në stadiumin Parque do Sabia. Lajmi bëri xhiron e botës dhe ngjalli kureshtjen edhe të mediave angleze që i dedikuan një hapësirë të konsiderueshme këtij momenti.

‘Në total-shkruan BBC-u ndëshkuan me karton të kuq 43 futbollistë dhe 8 anëtarë të stafeve teknike dhe këtyre iu shtohen edhe dy drejtues të Uberlandia’.

Sipas raportit arbitrar, shkëndija u ndez në pjesën e dytë pas golit që e çoi rezultatin në 3-1 për Mamore, kur futbollisti Davi provokoi pankinën kundërshtare gjatë festimeve. Trajneri i portierëve të Uberlandia hyri në fushë për t’u përballur me të duke nisur një sherr masiv. Ndeshja, që fillimisht u pezullua për 40 minuta, u ndërpre përfundimisht nga arbitri, pasi ishte e pamundur që të garantohej siguria.

Policia ushtarake dokumentoi 14 porta të dëmtuara, dushe dhe dritare të thyera si dhe stola, tavolina dhe ulëse të shkatërruara. Rekordi i mëparshëm botëror ka qenë me 36 kartonë të kuq që u regjistrua në 2011 në një ndeshje të divizionit të pestë të futbollit argjentinas. Më pas Uberlandia hoqi dorë nga zhvillimi i ndeshjes së dytë gjysmëfinale duke i dhënë mundësinë Mamore që mbeti me 7 lojtarë të disponueshëm që të kalojë në finale, një vendim ky që u përkufizua nga klubi si një veprim korrekt.