Drita do ta presë Prishtinën në stadiumin me bar artificial në Gjilan, ku nga ora 13:00 pritet të luhet takimi i mbetur i xhiros së dytë të Albi Mall Superligës së Kosovës. Të dyja skuadrat tashmë i kanë bërë të ditur formacionet zyrtare.
Me katër fitore radhazi pas vetes, skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu kërkon suksesin e pestë të njëpasnjëshëm. Një fitore do t’i mundësonte Dritës të barazohej me pikë me Prishtinën në pozitën e dytë dhe të mbetej vetëm një pikë larg Malishevës.
Prishtina e Orges Shehit, ndërkohë, në pesë përballjet e fundit ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Suksesi më i fundit në transfertë ia ka rritur moralin skuadrës, e cila kërkon një rezultat pozitiv për të ruajtur epërsinë ndaj Dritës dhe, nëse i jepet mundësia, për të marrë kreun e kampionatit.
Për këtë përballje, të dy trajnerët kanë zgjedhur të hedhin në fushë që nga fillimi formacionet më të mira që kanë në dispozicion.
Drita do të nisë me: Behluli; Be.Krasniqi, Bytyqi, Salihu, Pëllumbi; Limaj, Dabiqaj, Nguena; Jashari, Bl.Krasniqi, Balaj.
Prishtina do të rreshtohet me: Iljazi; Mokono, Poçi, Halili, Zguro; Zeqiri, Llugiqi; Baftiu, Kryeziu, Muja; Hasani.
