Sipas asaj që raporton Marca, Al-Hilal ka rritur ritmin e bisedimeve për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Barcelonës, Marc Casado.
21-vjeçari spanjoll nuk konsiderohet pjesë e planeve prioritare të Hansi Flick për edicionin e ardhshëm, ndaj po analizon mundësinë e një largimi për të pasur më shumë minuta dhe për t’i dhënë një drejtim tjetër karrierës së tij.
Klubi nga Arabia Saudite është i përgatitur t’i paraqesë Casados një ofertë tepër të leverdishme në aspektin financiar.
Pavarësisht kësaj, lojtari ende nuk ka vendosur përfundimisht dhe po shqyrton me kujdes nëse një kalim në Arabinë Saudite do të ishte zgjedhja e duhur në këtë moment të karrierës së tij.
Në garë për mesfushorin është futur edhe Milani, që mund t’i ofrojë atij vazhdimësinë në futbollin evropian.
Nga shitja e lojtarit, Barcelona synon të përfitojë afërsisht 30 milionë euro.
Kjo shumë do t’i shërbente klubit katalanas për të liruar më shumë hapësirë në fondin e pagave, si edhe për të mbështetur financiarisht afrimet e reja në merkaton verore.
Raporti thekson gjithashtu se Jorge Mendes, agjenti i futbollistit, është në kërkim të formulës më të përshtatshme dhe të një klubi që përmbush si kërkesat e Barcelonës, ashtu edhe ato të vetë lojtarit.


