Ndeshja e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Meksikës do të luhet në orarin e parashikuar fillimisht, edhe pse më herët ishte përmendur mundësia e shtyrjes për shkak të motit të keq në Ciudad de México.
Organizata botërore e futbollit kishte marrë në konsideratë zhvillimin e kësaj përballjeje gjashtë orë më herët, për shkak të rrezikut nga stuhi të forta dhe përmbytje të mundshme në kryeqytetin meksikan.
Sipas mediave angleze, FIFA më pas u tërhoq nga ky skenar, pas kundërshtimeve të forta të ardhura nga katër federata kombëtare.
Të premten, FIFA bëri të ditur se po e shqyrtonte seriozisht zhvendosjen e ndeshjes nga ora 18:00 me kohën lokale, përkatësisht ora 02:00 pas mesnate me kohën tonë, në orën 12:00 të së dielës.
Shkaku i këtij vlerësimi ishin parashikimet e motit, të cilat paralajmëronin reshje të mëdha dhe mundësi për përmbytje në Ciudad de México.
Por ky propozim hasi menjëherë në reagime, jo vetëm nga federatat e Anglisë dhe Meksikës, por edhe nga Brazili dhe Norvegjia.
Një ndryshim i orarit për sfidën Angli–Meksikë do të prekte edhe kalendarin e ndeshjes së raundit të 1/8 së finales mes Brazilit dhe Norvegjisë, në mënyrë që të shmangej mbivendosja e termineve.
Pikërisht për këtë, përfaqësues të katër federatave zhvilluan bisedime urgjente me FIFA-n, duke kërkuar që ndeshjet të mos cenoheshin nga ndryshime të bëra në momentet e fundit.
Skuadra angleze pritet të niset drejt Ciudad de México të premten në mbrëmje, sipas planit të paracaktuar, dhe agjenda e udhëtimit mbetet e pandryshuar.
Sipas raportimeve, Federata Angleze e Futbollit ishte veçanërisht e irrituar nga mundësia e lëvizjes së orarit, pasi një vendim i tillë do të çrregullonte përgatitjet e ekipit dhe njëkohësisht do të krijonte vështirësi edhe për tifozët anglezë, të cilët kishin planifikuar të mbërrinin në Ciudad de México vetëm të dielën.
Kundërshtimin e tij e bëri të qartë edhe trajneri i Meksikës, Javier Aguirre, i cili e kritikoi hapur idenë e zhvendosjes së ndeshjes.
“Nuk do të thosha se e gjithë puna jonë po shkon dëm, por nuk është shumë larg kësaj. Po humbasim gjashtë orë që ishin pjesë e planit tonë për ditën e ndeshjes. Kjo nuk më pëlqen aspak”, deklaroi Aguirre.
Në fund, FIFA vendosi që përballja Angli–Meksikë të mos preket nga ndryshimi i terminit dhe të zhvillohet sipas planit fillestar, ndërsa organizatorët do të vazhdojnë të ndjekin nga afër situatën meteorologjike në Ciudad de México.


