Cipenga i jep epërsinë Kongos, portieri mban në lojë afrikanët ndaj Anglisë

Cipenga i jep epërsinë Kongos, portieri mban në lojë afrikanët ndaj Anglisë

Lajme

Republika Demokratike e Kongos e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0 përballë Anglisë, pasi shfrytëzoi maksimalisht mundësinë më të mirë që krijoi. Nga ana tjetër, anglezët u penguan si nga portieri kundërshtar, ashtu edhe nga VAR-i.

Skuadra afrikane goditi shumë herët, duke surprizuar “Tre Luanët” që në minutën e shtatë. Brian Cipenga përfitoi nga një krosim nga krahu dhe e finalizoi në mënyrë të shkëlqyer aksionin, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për 1-0.

Pas pësimit të golit, Anglia reagoi dhe provoi të kthehej në ndeshje, me Jude Bellingham në qendër të aksioneve më të rrezikshme. Në minutën e 30-të, mesfushori i Real Madridit tentoi me kokë, por portieri kongolez bëri një ndërhyrje shumë të mirë.

Në minutën e 35-të, Marcus Rashford kërkoi të barazonte shifrat, por goditja e tij u ndal nga mbrojtja.

Kongo iu afrua ndjeshëm golit të dytë në minutën e 42-të. Yoane Wissa goditi fort pas një pasimi të gjatë, por topi përfundoi në shtyllën e djathtë.

Nuk munguan debatet në fundin e fraksionit të parë. Në minutën e 44-të, Harry Kane pretendoi për penallti pas një dueli në zonë, ndërsa gjyqtari në fillim urdhëroi vijimin e lojës. Më pas ai u thirr nga VAR-i për të rishikuar episodin dhe, pas verifikimit të pamjeve, vendosi se nuk kishte shkelje, duke rrëzuar pretendimet e anglezëve.

Në kohën shtesë, Bellingham iu afrua shumë golit të barazimit sërish me kokë, por portieri i Kongos realizoi edhe një pritje spektakolare. Kështu, skuadra e tij shkoi në pushim me epërsinë minimale 1-0.

Promo