Casemiro: Brazili ka skuadrën për ta fituar Kupën e Botës

Casemiro: Brazili ka skuadrën për ta fituar Kupën e Botës

Lajme

Brazili siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-tës të Kupës së Botës pasi triumfoi 2-1 ndaj Japonisë në një përballje dramatike. Golin që vulosi fitoren e realizoi Gabriel Martinelli në minutën e gjashtë të shtesës, megjithëse japonezët kishin kaluar të parët në avantazh gjatë pjesës së parë.

Në minutën e 29-të u regjistrua momenti vendimtar i fraksionit të parë, kur Danilo humbi topin në mesfushë. Japonia përfitoi menjëherë duke nisur një kundërsulm të shpejtë, që përfundoi te Kaisha Sano, i cili me një goditje të saktë nga distanca mposhti Alissonin për rezultatin 1-0.

Deri në fund të pjesës së parë, brazilianët hasën vështirësi të mëdha përballë mbrojtjes së disiplinuar të Japonisë dhe nuk arritën të krijonin raste të pastra shënimi.

Barazimi i Brazilit erdhi në minutën e 56-të. Pas një krosimi në shtyllën e dytë, Casemiro reagoi në kohën e duhur dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-1.

Gjithçka u vendos në çastet e fundit të takimit. Në minutën e 96-të, japonezët humbën topin në një zonë të rrezikshme, ndërsa Bruno Guimaraes shërbeu për Martinellin, i cili shënoi lehtësisht për 2-1, duke sjellë festë të madhe te skuadra braziliane.

Ndonëse Brazili nuk u paraqit në nivelin më të lartë, Casemiro pati rol vendimtar në suksesin e ekipit me golin e tij, ndërsa pas ndeshjes u shpreh se kjo fitore mund ta shtyjë skuadrën drejt fitimit të trofeut.

“Pika jonë më e fortë ishte mentaliteti ynë. Nuk hoqëm dorë nga presioni në gjysmëfushën e tyre. Në Kupën e Botës është thelbësore të vlerësohen lojtarët që vijnë nga stoli”, ka thënë fillimisht Casemiro.

“Endrick hyri sot dhe luajti shumë mirë, Martinelli është gjithashtu një lojtar i shkëlqyer dhe Rayan është një zëvendësues i shkëlqyer për Raphinhan. Ky është shpirti, ky është një ekip që mund të fitojë Kupën e Botës”, përfundoi ylli brazilian.

https://x.com/FIFAWorldCup/status/2071675065456808316

Promo