Barcelona ka nisur kontaktet e para me njerëzit që përfaqësojnë Harry Kane, ndërsa po vlerëson nëse gjatë kësaj vere mund të realizohet transferimi i sulmuesit të Bayern Munichut.
Raportimet nga Anglia bëjnë të ditur se drejtuesit katalanas kanë komunikuar me kampin e kapitenit të Anglisë për të parë hapësirat e një marrëveshjeje të mundshme, ndërkohë që situata pritet të rishikohet nga të dyja palët pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Biseda, megjithatë, thuhet se është ndërprerë shpejt nga përfaqësuesit e Kane, pasi futbollisti anglez vazhdon të jetë tërësisht i fokusuar te Bayern Munichu.
Kane, 32 vjeç, ka edhe një vit të mbetur në kontratën aktuale, por pas Botërorit pritet që synimi i tij kryesor të jetë hapja e negociatave për një marrëveshje të re me kampionët e Bundesligës.
Pas largimit të Robert Lewandowskit, Barcelona po kërkon një qendërsulmues të ri dhe raportohet se do të ishte e gatshme të bënte një sakrificë të madhe financiare nëse do të krijohej mundësia për të afruar Kane.
Nga ana tjetër, Bayern Munich nuk planifikon të heqë dorë nga një prej futbollistëve kyç të skuadrës dhe pritet të kundërshtojë fort çdo tentativë për ta larguar anglezin nga “Allianz Arena”./



