Në 33 vjeç mbyll karrierën Eni Imami, ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Partizanit gati për hapin e parë si trajner

Në 33 vjeç mbyll karrierën Eni Imami, ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Partizanit gati për hapin e parë si trajner

Lajme

Eni Imami i ka dhënë fund futbollit të luajtur. “Newsport.al” ka mësuar se pas përfundimit të kontratës me Kukësin, qendërmbrojtësi 33-vjeçar ka vendosur të tërhiqet, edhe pse nuk i kanë munguar ofertat nga klube të tjera.

Megjithatë, largimi i tij nuk do të thotë shkëputje nga futbolli. Sipas raportimit të “Newsport.al”, ish-mbrojtësi është pajisur me licencën UEFA B dhe shumë shpejt do të nisë punën për të përmbyllur edhe kursin UEFA A, çka më pas do t’i hapë rrugën ushtrimit të profesionit të trajnerit.

Në karrierën e tij, Imami ka regjistruar një bilanc të rëndësishëm në “Abissnet Superiore”, ku ka fituar 3 tituj kampionë. Ai është shpallur kampion me Dinamon në sezonin 2009/2010, me Kukësin në sezonin 2016/2017 dhe me Tiranën në sezonin 2019/2020.

Po ashtu, 33-vjeçari ka fituar edhe 3 Kupa të Shqipërisë, respektivisht me Laçin, Kukësin dhe Vllazninë. Në sezonin 2024/2025, ai ishte një nga figurat kryesore te Vora, duke kontribuar në fitimin e titullit të Kategorisë së Parë, që solli edhe ngjitjen historike në Superiore.

Sa i përket rrugëtimit të tij në fushë, Imami e nisi te Partizani U17. Më pas, ai veshi fanellat e Dinamos, Laçit, GC Biaschesi në Zvicër, Teutës, Kukësit, Tiranës, Skënderbeut, Vllaznisë, Flamurtarit, Vorës dhe sërish Kukësit.




Promo