Gramos Emini bëhet pjesë e stafit të Alban Dragushës te Ferizaj

Gramos Emini bëhet pjesë e stafit të Alban Dragushës te Ferizaj

Lajme

Ferizaj po vijon përgatitjet dhe organizimin për edicionin e ri në Ligën e Parë, teksa ka avancuar edhe me kompletimin e stafit teknik.

Në krah të trajnerit të sapoemëruar Alban Dragusha do të jetë Gramos Emini, i vlerësuar si një prej trajnerëve të rinj më premtues në futbollin e Kosovës, në rolin e ndihmësit.

Emini vjen te Ferizaj pasi ka ndërtuar përvojë në disa skuadra të futbollit kosovar. Gjatë punës së tij, ai ka qenë pjesë e Flamurtarit, Vllaznisë së Pozharanit dhe Vjosës, duke krijuar përshtypje pozitive përmes angazhimit dhe rezultateve që ka arritur.

Ai njihet për përdorimin e metodave bashkëkohore të stërvitjes, ndërsa vëmendje të veçantë i kushton zhvillimit individual të futbollistëve, sidomos të lojtarëve të rinj.

Rruga e tij si futbollist mori fund herët për shkak të një dëmtimi serioz, por kjo nuk e shkëputi nga futbolli. Përkundrazi, Emini iu përkushtua profesionit të trajnerit, duke ndjekur formimin profesional dhe duke siguruar licencat e nevojshme për ushtrimin e këtij profesioni.

Me Alban Dragushën në krye të skuadrës dhe me afrimin e Gramos Eminit si ndihmës, Ferizaj po formon një staf teknik me objektivin për të rikthyer stabilitetin dhe identitetin e klubit.

Promo