Ismet Munishi do të mbetet trajner i FC Lirisë edhe gjatë tre viteve të ardhshme, ka bërë të ditur zyrtarisht klubi.
Njoftimi është publikuar në rrjetet sociale zyrtare të klubit, ku vazhdimi i bashkëpunimit me Munishin përshkruhet si ndër veprimet e para në kuadër të projektit të ri të FC Lirisë, i cili mbështetet në stabilitet, besim dhe një vizion afatgjatë.
Sipas klubit, te Munishi ekziston besim i plotë për shkak të punës, përvojës dhe profesionalizmit të tij, ndërsa ai konsiderohet një figurë e rëndësishme në ndërtimin e skuadrës për sezonet që vijnë.
“Së bashku do të punohet për krijimin e një skuadre konkurruese, me identitet të qartë dhe ambicie të mëdha, me synimin për ta rikthyer FC Lirinë aty ku e ka vendin”, thuhet në komunikatën e klubit.
Në përmbyllje të njoftimit, FC Liria i ka uruar Ismet Munishit suksese në vazhdim, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim do të prodhojë rezultate pozitive dhe do t’u sjellë gëzim tifozëve bardhezi.


