Jurgen Klopp ka dalë kritik ndaj paraqitjes së Gjermanisë pas disfatës 2-1 përballë Ekuadorit në takimin e tretë të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se ekipi i tij e interpretoi ndeshjen në mënyrën e gabuar kundër një rivali agresiv.
Pas përfundimit të sfidës, Klopp deklaroi: “Në këtë fushë ne zgjodhëm qasjen e gabuar dhe luajtëm llojin e gabuar të futbollit kundër një kundërshtari agresiv. Duke filluar nga minuta e 12-të, na mungoi thellësia në lojën tonë dhe u mbrojtëm shumë prapa, sikur thjesht donim ta provonim një gjë të tillë”.
Trajneri gjerman e pranoi se skuadra nuk u shfaq në nivelin e duhur dhe se loja e treguar nuk dha përshtypjen e një ekipi që synon të ecë larg në këtë turne.
“Kishte shumë gjëra që shkuan keq. Nuk dukej sikur ne do të avanconim lehtësisht në raundet e ardhshme”.
I pyetur për atë që Gjermania duhet të rregullojë para fazës eliminatore, ai u shpreh: “Ne duhet ta kombinojmë cilësinë tonë me një mentalitet të jashtëzakonshëm”.
Kur u pyet nëse pikërisht ky mentalitet mungoi ndaj Ekuadorit, Klopp dha një përgjigje të prerë: “Sigurisht që mungoi”.
Megjithëse u mposht, Gjermania e përfundoi grupin në pozitën e parë dhe siguroi kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës.


