Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka bërë një lëvizje të pazakontë, duke dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA pas debateve për arbitrarin në ndeshjen e Kupës së Botës ndaj Skocisë.
Ndonëse Brazili e fitoi bindshëm takimin me rezultatin 3-0, drejtuesit e futbollit brazilian mbeten të irrituar nga anulimi i golit të Vinicius Junior dhe kanë kërkuar që arbitri i asaj sfide të mos emërohet më asnjëherë në ndeshjet e tyre.
Episodi i kontestuar i përket minutës së 21-të në përballjen e fundit të Grupit C. Pasi Brazili kishte kaluar në avantazh me një gol të shpejtë të Viniciusit, sulmuesi i Real Madridit shënoi sërish pasi i rrëmbeu topin Jack Hendry dhe e mposhti me qetësi portierin Angus Gunn.
Arbitri Cesar Ramos e quajti fillimisht të rregullt golin, por më pas VAR-i ndërhyri dhe goli u anulua për një faull të dyshuar në fillim të aksionit.
Ky vendim solli reagime të forta në kampin brazilian. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti vlerëson se kontakti ishte minimal dhe se nuk plotësonte standardin e “gabimit të qartë dhe evident” që do të justifikonte ndërhyrjen e VAR-it.
Presidenti i CBF-së, Samir Xaud, e ka çuar më tej këtë çështje përmes një letre zyrtare drejtuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku ngre shqetësimin për mungesë konsistence në vendimet e arbitrave gjatë turneut.
Kërkesa konkrete e CBF-së është që arbitri meksikan Cesar Ramos të mos caktohet më në ndeshjet e Brazilit në Amerikën e Veriut.
Sipas dokumentit të publikuar nga media braziliane Estadao, federata sjell në vëmendje edhe një “histori negative” me Ramosin, që lidhet me Kupën e Botës 2018 në sfidën kundër Zvicrës.
Brazili pretendon se në atë ndeshje iu mohua një penallti e qartë dhe se nuk u akordua një faull në aksionin që çoi te goli i barazimit të zviceranëve.
Në letrën zyrtare thuhet se, nisur nga këto episode, Ramos nuk duhej të ishte emëruar fare për ndeshjen ndaj Skocisë.
Dokumenti thekson gjithashtu se anulimi i golit “dukej i papritur jo vetëm për lojtarët e Brazilit, por edhe për futbollistët skocezë, reagimet e menjëhershme të të cilëve tregonin se as ata nuk prisnin një rishikim nga VAR-i apo anulimin e golit”.


