SHBA shqyrton kandidaturën për Botërorin 2038 pas organizimeve të 1994 dhe 2026

SHBA shqyrton kandidaturën për Botërorin 2038 pas organizimeve të 1994 dhe 2026

Lajme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e vlerësojnë mundësinë që të presin edhe Kupën e Botës 2038, ndonëse deri atëherë do të kenë qenë organizatore të dy edicioneve brenda një periudhe prej vetëm 32 vitesh.

Futbolli, i njohur në SHBA si “soccer”, renditet si sporti i tretë më i ndjekur në vend, pas futbollit amerikan dhe basketbollit. Megjithatë, autoritetet amerikane po shqyrtojnë seriozisht një tjetër kandidim për turneun më të madh të futbollit në botë.

SHBA e organizoi për herë të parë Kupën e Botës në vitin 1994, ndërsa në edicionin e vitit 2026 është bashkëorganizatore me Meksikën dhe Kanadanë.

Nga gjithsej 104 ndeshje të Botërorit 2026, 78 prej tyre do të luhen në SHBA, përfshirë edhe finalen.

Sa u përket edicioneve të ardhshme, vendet pritëse tashmë janë përcaktuar. Botërori 2030 do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia, ndërsa tre ndeshjet e para do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në kuadër të 100-vjetorit të kompeticionit.

Ndërkaq, Arabia Saudite do të jetë mikpritëse e Kupës së Botës 2034, që do të jetë vetëm hera e dytë që ky turne zhvillohet në një shtet arab, pas Katarit në vitin 2022.

Sipas Andrew Giuliani, drejtor ekzekutiv i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, SHBA po e konsideron me seriozitet paraqitjen e kandidaturës për edicionin e vitit 2038.

Në rast se kjo kandidaturë miratohet, SHBA do ta organizonte Kupën e Botës për herë të tretë në harkun e vetëm 44 viteve.

Nga ana tjetër, disa vende me traditë të madhe futbollistike vijojnë të presin ende një rast të tillë. Anglia nuk e ka pritur këtë turne që prej vitit 1966, ndërsa Holanda, megjithëse ka një histori të pasur në futboll dhe ka luajtur tri finale, nuk e ka organizuar asnjëherë Botërorin.

Giuliani bëri të ditur gjithashtu se për këtë çështje kishte biseduar edhe me presidentin amerikan Donald Trump, përpara se të shprehej publikisht se SHBA mbetet e hapur për të kandiduar për organizimin e Kupës së Botës 2038.

Promo