Shqetësimi është rritur në kampin e Brazilit në Kupën e Botës 2026. Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ka konfirmuar se Raphinha ka pësuar një dëmtim muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, duke lënë të paqartë vazhdimësinë e tij në fazat vendimtare të turneut.
Sulmuesi i Barcelonës ndjeu shqetësime fizike gjatë fitores 3-0 ndaj Haitit dhe u detyrua të linte fushën në minutën e 38-të. Menjëherë pas ndeshjes, stafi mjekësor i Brazilit kreu kontrollet e para, ndërsa ekzaminimet më të hollësishme u zhvilluan pas kthimit të skuadrës në New York.
Në komunikatën zyrtare, CBF njoftoi se futbollisti do t’i nënshtrohet një programi intensiv rikuperimi nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të përfaqësueses braziliane, me objektivin për t’u rikthyer në fushë sa më shpejt. Megjithatë, federata nuk ka përcaktuar asnjë afat konkret për rikthimin e tij.
Një tjetër telash për Ancelottin
Dëmtimi i Raphinhas përbën një goditje të rëndësishme për trajnerin Carlo Ancelotti, i cili tashmë është përballur me disa mungesa me peshë gjatë këtij Botërori.
Përtej rolit të tij të rëndësishëm në repartin ofensiv, Raphinha konsiderohet një nga lojtarët kryesorë në skemat e teknikut italian. Situata bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se ky është dëmtimi i katërt muskulor në kofshë që braziliani ka pësuar në 12 muajt e fundit.
Brenda kampit brazilian ka optimizëm se lojtari mund të jetë gati për fazën e 1/16-ve, por aktivizimi i tij në ndeshjet e ardhshme mbetet ende i pasigurt.
Brazili nuk ka mundësi ta zëvendësojë
Rregulloret e FIFA-s nuk lejojnë zëvendësimin e lojtarëve të dëmtuar gjatë turneut, çka do të thotë se Ancelotti duhet të gjejë zgjidhje alternative brenda grupit aktual.
Nëse Raphinha mungon, emra si Endrick, Rayan dhe Luiz Henrique shihen si kandidatët kryesorë për të marrë më shumë përgjegjësi në repartin ofensiv.
Problemet fizike e kanë shoqëruar Brazilin gjatë gjithë turneut. Përveç Raphinhas, kombëtarja braziliane është përballur edhe me mungesat e Eder Militaos, Estevaos, Rodrygos dhe Wesleyt, ndërsa Neymar sapo ka nisur rikthimin pas një mungese të gjatë nga fushat.


