Gjermania përmbys në fund Bregun e Fildishtë dhe merr fitoren

Lajme

Gjermania realizoi një përmbysje dramatike në çastet e fundit për të triumfuar 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në takimin e Grupit E të Kupës së Botës 2026.

Ndeshja nisi me intensitet të lartë, me të dyja ekipet që shfaqën ritëm dhe guxim në repartin ofensiv. Gjermania pati mundësinë e parë të rrezikshme me Kai Havertz, por tentativa e tij me kokë u prit nga portieri Yahia Fofana.


Në minutën e 21-të, Aleksandar Pavlovic besoi se kishte kaluar “Die Mannschaft” në avantazh, por goli i tij u anulua për faull gjatë aksionit.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, Bregu i Fildishtë arriti të kalojë në epërsi në minutën e 30-të. Franck Kessie shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë për 0-1, duke i dhënë avantazhin skuadrës afrikane.

Në pjesën e dytë, Gjermania reagoi menjëherë dhe, pas disa lëvizjeve taktike nga Julian Nagelsmann, shtoi presionin në zonën kundërshtare.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 68-të. Nadiem Amiri harkoi saktë në zonë, aty ku Deniz Undav e kontrolloi topin dhe finalizoi bukur për 1-1, duke rikthyer baraspeshën në takim.

Në minutat përmbyllëse, Gjermania ushtroi edhe më shumë presion dhe këmbënguli për golin e fitores. Mundësia më e mirë u shfaq në minutën e 90+1, por Amiri shpërdoroi një rast të artë nga afërsia.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, erdhi momenti vendimtar në minutën e 94-të.

Deniz Undav u gjend sërish në vendin e duhur dhe e dërgoi topin në rrjetë për golin e fitores 2-1, duke vulosur përmbysjen e madhe të Gjermanisë.

Promo