Holanda ka regjistruar një fitore bindëse 5-1 përballë Suedisë në raundin e dytë të Kampionatit Botëror 2026, duke konfirmuar formën shumë të mirë në Grupin F dhe duke u ngjitur në kuotën e gjashtë pikëve.
Suedia, edhe pse pësoi një humbje të rëndë, mbetet përkohësisht në vendin e dytë me tri pikë.
Takimi nisi me intensitet të lartë dhe që në minutën e pestë Brian Brobbey hapi serinë e golave pas një asistimi nga Cody Gakpo, duke i dhënë Holandës epërsinë e hershme 1-0.
Presioni i holandezëve vijoi edhe më tej dhe në minutën e 17-të, Brobbey shënoi edhe golin e tij të dytë personal pas një pasimi të saktë nga Denzel Dumfries, për ta çuar rezultatin në 2-0.
Suedia tentoi të kundërpërgjigjej në disa momente me Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak, por gjeti përballë një Bart Verbruggen në formë të shkëlqyer, i cili neutralizoi disa raste të rrezikshme.
Në nisje të pjesës së dytë, Holanda praktikisht e vulosi ndeshjen. Në minutën e 47-të, Gakpo realizoi për 3-0 nga afërsia pas një aksioni të shpejtë.
Vetëm gjashtë minuta më pas, ai shënoi sërish, këtë herë me një goditje të fuqishme nga distanca, duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe të katërtin për Holandën për rezultatin 4-0.
Suedia arriti të gjejë golin e vetëm në minutën e 59-të, kur Anthony Elanga, i ardhur nga stoli, konkretizoi një asistim të bukur nga Alexander Isak për 4-1, duke sjellë një reagim të shkurtër për nordikët.
Megjithatë, fjala e fundit i takoi sërish Holandës. Në minutën e 89-të, Crysencio Summerville vulosi shifrat përfundimtare 5-1, duke përmbyllur një paraqitje dominuese të “Tulipanëve”.


