Holanda e mbyll pjesën e parë me avantazh të dyfishtë ndaj Suedisë

Lajme

Holanda është larguar për në pushim me rezultatin 2-0 përballë Suedisë, pas një pjese të parë ku ekipi i Ronald Koeman u tregua më i saktë para portës, ndërsa suedezët krijuan raste, por nuk arritën t’i finalizonin.

Takimi nisi me një presion të lehtë nga Suedia, me Viktor Gyokeres që tentoi dy herë drejt portës. Në rastin e parë, goditja e tij nga distanca u prit nga portieri Bart Verbruggen, ndërsa tentativa pasuese nga brenda zonës përfundoi sërish në duart e tij.


Holanda reagoi menjëherë dhe nisi të marrë në kontroll lojën, me Cody Gakpo që u shfaq i rrezikshëm me një goditje me kokë, por pa arritur të mposhtte portierin suedez.

Në minutën e pestë, Holanda zhbllokoi sfidën. Brian Brobbey realizoi golin e parë pas asistit të Cody Gakpo, duke e shtyrë topin në rrjetë nga afër për 1-0.

Pas këtij goli, Suedia tentoi të kundërpërgjigjej me Alexander Isak dhe Benjamin Nygren, por përpjekjet e tyre nuk sollën rezultat.

Në minutën e 17-të, Holanda e thelloi epërsinë. Denzel Dumfries asistoi dhe përsëri ishte Brobbey ai që shënoi, duke përfituar nga hapësira në zonë dhe duke e dërguar topin në këndin e poshtëm për 2-0.

Holandezët vijuan të ishin më të vendosur në fazën sulmuese, me Tijjani Reijnders që provoi një aksion individual, por goditja e tij shkoi jashtë kuadratit.

Suedia pati edhe një mundësi shumë të mirë me Gyokeres në minutat e fundit të pjesës së parë, por Verbruggen reagoi sërish me një pritje të shkëlqyer, duke e mbajtur portën të paprekur.//

Promo