FIFA do t’i japë një kompensim të konsiderueshëm klubit italian Sassuolo pas dëmtimit serioz që pësoi Ismael Kone në fitoren e Kanadasë kundër Katarit në Kupën e Botës 2026.
Fitorja e thellë 6-0 e ekipit të drejtuar nga Jesse Marsch u errësua nga një episod i rëndë në pjesën e dytë të takimit të luajtur në Vancouver, ku Kone pësoi një thyerje të tmerrshme në këmbë.
Mesfushori i Kanadasë u nxor nga fusha me barelë pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Assim Madibo. Pas rishikimit të rastit në VAR, gjyqtari e ndëshkoi futbollistin e Katarit me karton të kuq, ndërsa më pas ai kërkoi falje në dhomën e zhveshjes.
Ndonëse ende nuk është dhënë një datë e saktë për kthimin e Konés, raportimet tregojnë se ai mund të mungojë për katër deri në pesë muaj.
Për shkak të këtij dëmtimi, FIFA do të vërë në zbatim Programin e Mbrojtjes së Klubeve (FIFA Club Protection Programme), që mbulon kostot për lojtarët që lëndohen aksidentalisht gjatë angazhimeve me përfaqësueset kombëtare.
Ky program nuk mbulon sëmundjet apo shpenzimet mjekësore, por përfshin raste si sulmet në zemër, goditjet në tru dhe dëmtimet e ndodhura gjatë ndeshjeve, stërvitjeve ose udhëtimeve zyrtare me kombëtaren, për aq kohë sa mungesa e lojtarit zgjat më shumë se 28 ditë.
Rasti i Konés i përmbush të gjitha kushtet, çka nënkupton se Sassuolo do të kompensohet për mungesën e njërit prej lojtarëve të tij gjatë një pjese të rëndësishme të sezonit 2026/27.
Vlera e kompensimit përllogaritet mbi bazën e pagës fikse të futbollistit, e cila raportohet të jetë rreth 26,500 euro në javë. Pa llogaritur bonuset, Kone fiton afërsisht 3,750 mijë euro në ditë.
Meqenëse 28 ditët e para nuk përfshihen në skemën e kompensimit dhe mungesa e tij pritet të zgjasë rreth 150 ditë, Sassuolo pritet të marrë afërsisht 560,000 mijë euro nga FIFA.


